Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët gjatë ditës së sotme, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur ndërprerjen e aktiviteteve futbollistike në vend, përfshi këtu edhe kategorinë Superiore.

Vendimi është bërë publik nga vetë institucion drejtues i futbollit në vend, që sqaron se për shkak të situatës alarmante me përhapjen me shpejtësi të coronavirusit, është vendosur që të ndërpriten aktivitetet futbollistike deri në një moment të dytë.

Kujtojmë që më herët kryeministri Rama vendosi ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit publik dhe atyre private në 8 qarqe të vendit, nga mesnata e sotme deri mesnatën e të dielës, duke komplikuar edhe transportin e skuadrave.

Gjithashtu edhe klubi i Laçit kishte kërkuar zyrtarisht ndërprerjen e kampionatit, për t’i dhënë përparësi shëndetit të futbollistëve dhe për të mos kontribuuar për përhapjen edhe më shumë të virusit pandemik.

Edhe në Maqedoni merret i njëjti vendim

Komisioni i Garave pran Federatës së Futbollit të Maqedonisë, solli vendimin për ndërprerje për kohë të pacaktuar të kampionatit vendor në futboll në Ligën e Parë, të Dytë dhe të Tretë, si dhe kampionatit në futsall.

Vendimi është marrë pas rekomandimeve të fundit dhe ndalesave të Ministrisë së Shëndetit parandaluese ndaj “Covid 19”, që përshin ndalesë të të gjithë tubimeve publike, pa marrë parasysh numrit të pjesëmarrësve.

Më parë, Komisioni i Futbollit për të Rinj, ndaloi garat në kategoritë e reja dhe atyre të fëmijëve, për dy javë. /SS/AlsatM/