LAJMI I FUNDIT:

Në Lindjen e Mesme, po si në tragjedinë greke, drejtësia duhet të triumfojë ndaj absolutizmit moral

Në Lindjen e Mesme, po si në tragjedinë greke, drejtësia duhet të triumfojë ndaj absolutizmit moral

Nga: Kenan Malik / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Teksa sheh tragjedinë që po shpaloset në Izrael dhe në Palestinë, kjo ndonjëherë ndihet si të lexosh për së mbrapshti Orestinë. Orestia – trilogjia e dramave të Eskilit që është shkruar në shekullin e pestë para Krishtit – rrëfen për transformimin e Greqisë së lashtë nga një shoqëri e rrënjosur në gjak dhe në hakmarrje, në një shoqëri të formësuar nga drejtësia.


Orestia fillon me kthimin në shtëpi të Agamemnonit – të udhëheqësit të grekëve triumfues – nga Lufta e Trojës. Ai brutalisht vritet nga gruaja e tij Klitemnestra, në shenjë të hakmarrjes së furishme për faktin se – në prag të konfliktit dhe për të qetësuar perënditë – në një ritual ai e kishte sakrifikuar vajzën e tyre, Ifigjeninë.

Për t’u hakmarrë për të atin, djali i Agamemnonit, Oresti, vret Klitemnestrën. I ndjekur nga eumenidët, nga hyjnitë e lashta – roli i të cilave ishte të marrin hak për mëkatet e mëdha – strehimin ai e kërkon në Athinë. Perëndesha e mençurisë, Atena, mblodhi një porotë për ta gjykuar Orestin. Me ndarjen e porotës përkitazi me vendimin, Atena voton pro shpalljes së pafajësisë dhe duke e bërë këtë hap si një mundësi për një botë përtej asaj që qeveriset nga eumenidët.

Orestia është një vepër komplekse që angazhohet në çështjet që nga ato patriarkale e deri te demokracia. Për Eskilin, gjendja njerëzore ishte tragjike, bashkë me Agamemnonin, Klitemnestrën dhe Orestin ku që të gjithë përballeshin me zgjedhjet e pamundura. Një pjesë e procesit me të cilin njerëzit civilizohen dhe mësojnë të jetojnë me tragjedinë e gjendjes së tyre qëndron, siç sugjeron ai, në krijimin e dallimit midis hakmarrjes dhe drejtësisë. Drejtësia na fut në sferën e politikës dhe e lejon mundësinë e ndryshimit dhe të shpengimit të arsyeshëm.

Ironia sot është se marrëdhënia mes Izraelit dhe palestinezëve duket se po lëviz në drejtim të kundërt, në një botë të përcaktuar më shumë nga eumonidët sesa nga Atena. Është kjo bota në të cilën erozioni i zgjidhjeve politike të konfliktit ka çuar në ndjekjen e hakmarrjes që dominon kundrejt kërkimit të drejtësisë.

Kjo më së miri shihet te egërsia e Hamasit. Kjo organizatë nuk është – siç e shohin disa nga e majta – shprehje e rezistencës palestineze, por e degjenerimit të kësaj rezistence, e “shpresës së humbur se strategjitë morale mund të kenë sukses”, siç thotë shkrimtari amerikan Peter Beinart.

Nën sundimin e Hamasit, kundërshtarët dëbohen, të drejtat e grave mohohen, homoseksualët torturohen dhe vriten. Edhe duke pasur parasysh ndikimin e bllokadës izraelite, sundimtarët e Gazës kanë bërë shumë pak për të çuar përpara jetën e banorëve të Gazës. Imagjinata e Hamasit mbështetet më pak në vizionin e lirisë së palestinezëve e më shumë në urrejtjen ndaj Izraelit dhe hebrenjve.

Ata që veprimet e Hamasit i kremtojnë si “rezistencë” dhe që paramendojnë se vrasja e civilëve izraelitë është ajo që duket si “dekolonizim”, kanë pikëpamje të mjerë për të drejtat palestineze. Kjo gjithashtu është perspektiva që – duke ulur vlerën e jetës së izraelitëve – vetëm sa e inkurajon rritjen e antisemitizmit.

Dehumanizimi i “tjetrit” dhe dëshira për hakmarrje përtej drejtësisë, është tipar jo vetëm i politikës së Hamasit. Kjo gjithashtu është endur në perspektivat izraelite – dhe kjo nga maja e hierarkisë.

“I gjithë kombi” i Palestinës, ka thënë presidenti i Izraelit Isaac Herzog, “është përgjegjës” për krimet e Hamasit. Ministri i Trashëgimisë së Izraelit, Amichai Eliyahu, për Gazën ka shkruar duke e cituar një ushtar: “Bombardoni dhe gjithçka rrafshoni. Kjo thjesht është një kënaqësi për sytë”. Galit Distal Atbaryan, deputet i Likud-it dhe deri dy javë më parë ministër i Izraelit për Diplomacinë Publike, kërkoi “fshirjen e Gazës” duke shtuar: “Nevojitet IDF-ja [Forcat e Mbrojtjes izraelite] më hakmarrëse dhe më e egër. Çdo gjë më pak se kaq, është imoralitet”.

Kjo është gjuha e eumonidëve – jo e Atenës – që mbështetet nga pajisjet e jashtëzakonshme ushtarake. Kjo gjithashtu është gjuha e shumë mbështetësve perëndimorë të Izraelit. Kongresisti amerikan Brian Mast, duke folur gjatë një debati për përpjekjen e tij për të ngadalësuar ndihmën humanitare për Gazën, hodhi poshtë idenë e “civilëve të pafajshëm palestinezë”, duke pretenduar se “nuk mendoj se do ta hidhnim aq lehtë termin e civilëve të pafajshëm nazistë”.

Jo vetëm retorika izraelite, por edhe strategjia ushtarake ka ndryshuar. Duke filluar me fushatat e bombardimeve të Libanit në vitet 1990 – siç theksojnë në librin e tyre Triadic Coercion, Wendy Pearlman dhe Boaz Atzili – liderët izraelitë nisën t’i shohin veprimet ushtarake si “mjete të qenësishme dhe jo aq instrumentale”, me përdorimin e “forcës brutale dhe pa dallim” të justifikuar mbi bazat “morale si dhe strategjike”. Kjo është ajo me çfarë sot përballen banorët e Gazës.

Për konfliktin palestinez, Izraeli nuk ka kërkuar të gjejë zgjidhje politike, por ta përmbajë dhe ta menaxhojë atë. Në rritjen e Hamasit, në mënyrë cinike ka ndihmuar sidomos Benjamin Netanyahu, duke e mbështetur atë si një pengesë për Palestinën e pavarur. “Për të parandaluar opsionin e dy shteteve”, ka theksuar gjenerali izraelit Gershon Hacohen, që më vonë u bë studiues, “ai po e kthen Hamasin në partnerin e vet më të ngushtë. Hamasi haptazi është armik. Në mënyrë të fshehtë është aleat”. Izraeli po shkakton shkatërrime në Gazë në ndjekje të një përbindëshi të cilin vetë e ndihmoi të shfaqej.

Teksa me të drejtë ka pasur shumë kritika ndaj zërave të majtë që i gëzoheshin sulmit të Hamasit, shumë më pak është folur për figurat shumë më të fuqishme politike që promovojnë retorikën ndezëse dhe çnjerëzore në emër të mbrojtjes së Izraelit, si dhe rolin e një retorike të tillë në justifikimin e mizorive në Gazë. Në vend të kësaj, në Evropë dhe në Amerikë ka një përpjekje të përbashkët për të margjinalizuar ndjenjat pro-palestineze.

Në Francë janë ndaluar demonstratat në mbështetje të palestinezëve, ndërsa, një ligj i ri i propozuar, fyerjen e Izraelit do ta konsiderojë si vepër penale. Në Gjermani – siç vërehet nga një letër e hapur e shkrimtarëve, artistëve dhe studiuesve hebrenj – në zonat me komunitete të mëdha turke dhe arabe, “furgonët e blinduar dhe skuadrat e policisë së armatosur të trazirave, po patrullojnë nëpër rrugë duke kërkuar për ndonjë shfaqje spontane të mbështetjes ndaj palestinezëve ose për simbolet e identitetit palestinez”. Në Amerikë, ata që shprehin ndjenjat pro-palestineze, përballen me përjashtimet nga puna.

Në Britani, sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, ka sugjeruar se valëvitja e flamurit palestinez mund të shihet si vepër penale, ndërsa “jo vetëm simbolet dhe thirrjet e qarta pro-Hamas … janë shkak për t’u shqetësuar”. Ministrja e Shkencës, Michelle Donelan – një kampione e vetëshpallur e fjalës së lirë në universitete – ka veçuar dy studiues për t’u censuruar për pikëpamjet e tyre mbi Izraelin dhe për konfliktin e Gazës.

Këtu ka më shumë sesa thjesht një hipokrizi për fjalën e lirë. Është përpjekja për ta riformuluar konfliktin e Gazës si çështje morale dhe jo politike dhe për të delegjitimuar perspektivat palestineze – një qasje kjo që angazhimin politik, në një terren të vështirë, mund ta bëjë edhe më të vështirë.

“Kur do të përfundojë? Kur do të fundoset për të rënë në gjumë e për të pushuar, kjo urrejtje vrastare, kjo furi [eumonidët]?”, pyet kori në fund të Koeforëve, në pjesën e dytë të trilogjisë Orestia pasi Oresti vret Klitemnestrën. Sot përgjigja varet nga fakti nëse ne dhe udhëheqësit politikë në Izrael, në Palestinë dhe në Perëndim, dëshirojmë të dëgjojmë eumenidët apo Atenën. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, e kishte dhunuar seksualisht një vajzë nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Mediat në Ballkan, politika, ndikimi dhe sulmet ndaj gazetarëve “Reporterët Pa Kufij” japin alarmin e shqetësimin

Muhamet Hajrullahu
Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Trupat ruse hyjnë në bazën ajrore në Nigeri, ku janë të stacionuar ushtarët amerikanë

Botë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare - të mos pushohet në ditët e javës kur festat bien në vikend

Lajme
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Gjermania paralajmëron për pasojat e sulmit të dyshuar kibernetik rus

Gjermania paralajmëron për pasojat e sulmit të dyshuar kibernetik rus

Evropa
Kalo në kategori