LAJMI I FUNDIT:

Në Bruksel po diskutohet për zbatimet finale të marrëveshjes për Telekomin

Në Bruksel po diskutohet për zbatimet finale të marrëveshjes për Telekomin

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, në Bruksel është mbajtur takimi i grupit për zbatim e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në kuadër të dialogut të Brukselit.

Takimet trepalëshe të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kishin për qëllim vlerësimin e zbatimit të marrëveshjeve dhe obligimet zbatuese të palëve.


Në një komunikatë lëshuar nga Zyra e kryeministrit thuhet se për çështjen e drejtësisë dhe Telekomit po diskutohen obligimet zbatuese finale të të dyjave palëve për të cilat opinioni do të njoftohet më vonë.

Në takimin trepalësh për çështjen e IBM-së, temë kryesore ishte raportimi në progresin për zbatimin e marrëveshjes për kalimet e përhershme kufitare të IBM-së në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Agjencia zbatuese e këtyre projekteve e përzgjedhur nga ana e BE-së, UNOPS, raportoi se pala e Kosovës i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë të bëjnë më shpronësimin e tokave ku do të ndërtohen këto pikë kalime të përhershme të IBM-së, në dizajnimin e projekteve dhe lehtësimit të proceduarave për pajisje me lejet përkatëse.

Pala e Kosovës është nikoqire në tre pikë kalime kufitare, Merdarë, Bërnjak dhe Mutivodë, inaugurimi i fillimit të punimeve u tha se do të bëhet së shpejti.

UNOPS raportoi edhe për progresin e limituar nga ana e palës serbe për zbatimin e këtij projekti, edhe pse kontrata në mes të BE-së dhe UNOPS është nënshkruar para një viti, ende nuk ka filluar procesi i shpronësimit të parcelave atje e as që janë ndërmarrë veprime konkrete në terren përveç definimit të disa aspekteve administrative.

Në këtë takim të dy palët raportuan për dinamikat në ndërtimin e pikë kalimeve të reja kufitare në mes të dy shteteve, Kapi e Sfircës dhe Izvor.

Në këtë takim u vlerësua pozitivisht bashkëpunimi në mes të institucioneve të të dyja shteteve në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit dhe u bënë dakordime në avancimin e zbatimit të projektit SEED për çështjet doganore, po ashtu u biseduan edhe dinamikat e njohjes reciproke të certifikatave fito-sanitare, gjithashtu u njoftuan edhe për procedurat për regjistrimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Në këtë takim, delegacioni i Kosovës ngriti shqetësimin për zbatimin e ngadalshëm dhe jo të drejtë të marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike për të cilën pala serbe u zotua që do të angazhohen në përmirësimin e zbatimit të saj.