LAJMI I FUNDIT:

NDIHMOMËNI TË QESH! (ATDHEU ËSHTË LAKURIQ)

NDIHMOMËNI TË QESH! (ATDHEU ËSHTË LAKURIQ)

Poezi nga: Trifon Xhagjika

Nuk mundem,
…nuk mundem,
nuk mundem.


E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur!

Por sa i vogël qenka!

As një degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore
ta rrit në zemrën time…

Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.

Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!

1963

Trifon Xhagjika u lind në një fshat të Zagorisë (Gjirokastër) në një familje që shquhej për ndershmëri e patriotizëm. Në moshën nëntëvjeçare, bashkë me familjen vendoset në Tiranë. U shkollua në Normalen e Elbasanit, pastaj mbaroi një kurs gazetarie e filozofie. Në vitin 1954 u diplomua në Shkollën e Bashkuar si oficer i artilerisë kundërajrore, por me këmbënguljen e tij mori një kualifikim për gazetari e histori. Filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Bashkë me një grup miqsh u arrestua gushtin e 1963 dhe u dënua me pushkatim. Vendimi u ekzekutua dhjetorin e 1963. Ende nuk dihet ku është varrosur trupi i tij. Për rrethanat që iu krijuan, botoi pak. Vargjet e tij shquhen për thellësi, ndjenjë e sinqeritet. Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur. Një pjesë e tyre është botuar në vëllimin “Atdheu është lakuriq” (1994).