LAJMI I FUNDIT:

Ndeshja Prishtina – Gjilani ricaktohet për datën 19 shtator në “Fadil Vokrri”

Ndeshja Prishtina – Gjilani ricaktohet për datën 19 shtator në “Fadil Vokrri”

Takimi i mbetur nga java e parë në Superligë, ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, do të zhvillohet ditën e mërkurë (19 shtator) në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Njoftimin për ricaktimin e datës për këtë ndeshje e ka bërë Federata e Futbollit të Kosovës përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare.


“Ndeshja e mbetur e javës së parë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, do të zhvillohet të mërkurën më 19 shtator, në orën 19:45, në stadiumin ‘Fadil Vokrri'”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Lajmet nga SUPERLIGA
Lexo po ashtu Lajmet nga SUPERLIGA

Sfida e javës së parë në Superligë ndërmjet këtyre dy skuadrave ishte paraparë të zhvillohej më 20 gusht, mirëpo ishte shtyrë për shkaqe të mospranim-dorëzimit të stadiumit.

Komisioni i Garave i IPKO Superligës dhe Ligës së Parë duke u bazuar në informacionin e Prishtinës dhe zyrtarëve të MKRS-së kishte vendosur që takimi të shtyhej “shkaku i mospranimit teknik të stadiumit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

“Komisioni i Garave gjatë regjistrimit të ndeshjeve të javës së parë u informua nga KF Prishtina dhe MKRS se kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet me arsyetimin se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ nuk është pranuar teknikisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhej në arsyetimin e shtyrjes.

Në ndërkohë, nga tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani, Prishtina ka regjistruar dy fitore dhe një barazim, njësoj sikurse edhe Gjilani dhe kanë nga shtatë pikë në tabelë. /Telegrafi/