Prishtina shkatërron Llapin, Diatta dy herë, Krasniqi e Fazlija me supergola

Prishtina ka shënuar një fitore bindëse ndaj Llapit, duke triumfuar me rezultat 4-0 në kuadër të javës së tretë të Superligës së Kosovës.
Skuadra kryeqytetase e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë. Ishte Assane Diatta ai që realizoi për 1-0, duke i dhënë menjëherë Prishtinës avantazhin.
Prishtina vazhdoi të kontrollonte lojën, ndërsa në pjesën e dytë e thelloi epërsinë. Në minutën e 63-të, Albin Krasniqi realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke mposhtur portierin e Llapit për 2-0.

Vetëm tetë minuta më vonë, Diatta u shfaq sërish. Sulmuesi i Prishtinës u gjend i vetëm përballë portierit dhe nuk gaboi, duke shënuar për 3-0 dhe duke kompletuar dygolëshin personal.
Festën e Prishtinës e plotësoi Arijanit Fazlija, i cili këtë verë iu bashkua klubit kryeqytetas. Në debutimin e tij me fanellën e Prishtinës, Fazlija shënoi një tjetër gol të bukur nga distanca në minutën e 84-t, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.

Me këtë fitore, Prishtina shkon në kuotën e gjashtë pikëve nga dy ndeshje, ndërsa ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Dritës, e cila ishte shtyrë.
Në anën tjetër, Llapi po kalon një start shumë të vështirë të kampionatit. Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, skuadra nga Podujeva mbetet pa pikë, me tri humbje. /Telegrafi/











































