LAJMI I FUNDIT:

Ndërrimi i Qeverive lë në hije Ligjin Për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Kosovë

Tash e një vit e gjysmë në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji Për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Megjithëse ka kaluar një kohë që nga miratimi i këtij ligji, Ministria e Drejtësisë ende nuk i ka nxjerrë aktet nënligjore, ndonëse sipas ligjit, këto akte nënligjore ishin paraparë të miratohen brenda gjashtë muajve.

Drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, Ardian Bajraktari ka thënë se zhvillimet politike si dhe pandemia COVID-19, kanë pamundësuar që të nxjerrën këto akte nënligjore, por sipas tij, finalizimi i kësaj rregullore është ndër prioritetet e kësaj ministrie.

“Është e vërtetë që Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në një prej dispozitave të veta ka të përcaktuar që në një afat ligjor prej 6 muajsh pas hyrjes në fuqi të ligjit të nxirret rregullorja, mirëpo kjo është karakterizu me disa prej ngjarjeve që kanë impakt në punën dhe aktivitetet tona të përditshme. Natyrisht, edhe rrethanat politike dhe veçmas ato që lidhen me pandeminë e kanë pamundësuar në masë të konsiderueshme nxjerrjen e aktit nënligjor. Vlen të theksohet se ligji në masë të madhe e përcakton edhe procedurën sa i përket rasteve të trajtimit që nga paraqitja e rasteve edhe pastaj trajtimi brenda institucioneve duke përfshirë edhe fazën pasuese atë të trajtimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit”, është shprehur ai.

Bajraktari thotë se edhe në mungesë të akteve nënligjore, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka bazë të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.

“Ne nuk kemi qëndruar duarkryq në këtë proces, ne kemi fillu me hartimin e rregullores, mirëpo për shkak të rrethanave që i ceka më herët është karakterizu me vonesë, ne së fundmi në shkurt të këtij viti kemi rithemelu grupin punues dhe në mars kemi mbajtur një takim me përfaqësues të institucioneve duke përfshirë përfaqësuesit e Agjencionit Kundër Korrupsionit, pastaj përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe kemi diskutuar versionin fillestar të projekt rregullores dhe kemi marrë një numër jashtëzakonisht të madh të komenteve, veçmas nga përfaqësuesit e Shoqërisë Civile”, ka deklaruar ai.

Drejtori i Departamentit Ligjor, Ardian Bajraktari bëri të ditur se janë duke trajtuar komentet që kanë marrë nga Shoqëria Civile, teksa njoftoi se ditën e enjte do të mbahet takimi i radhës i grupit punues.

“Në takimin e radhës do të diskutojmë për këto komente. Do të diskutojmë për kriteret që do të kenë zyrtarët përgjegjës, po ashtu nëse do duhet të jenë emrat publik të këtyre zyrtarëve.
Këto do të jenë objekt diskutimi në takimin e radhës, dhe besoj që në varësi të epilogut të këtij takimi do të shohim mundësinë se si do të ecet në finalizimin e kësaj rregullore”, potencoi ai.

Bajraktari tha se “ajo çfarë e bën më pak të zbatueshëm këtë ligji është çështja e mungesës së informatave të nevojshme dhe në këtë drejtim ne e patëm planifikuar në mars që të fillojmë një sesion trajnues ne që kemi marrë pjesë ne hartimin e ligjit”.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Blerim Kelmendi ka folur për rolin e kësaj Agjencie sa i përket Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Ai në një intervistë të dhënë për Telegrafin ka treguar se ekzistojnë tri lloje të sinjalizimit.

“Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve i cili ka hy në fuqi që nga janari i vitit 2019 e ka përcaktuar rolin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në raport me zbatimin e këtij ligji. Roli i Agjencisë Kundër Korrupsionit është kryesisht në trajtimin e sinjalizimit të jashtëm, për arsye se kemi tri lloje të sinjalizimit, atë të të brendshëm, pastaj sinjalizimin e jashtëm, që trajtohet për sektorin publik nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe kemi sinjalizimin në media”, tha ai.

Kelmendi pohoi se Agjencia Kundër Korrupsionit ka për detyrë të trajtojë raste që i përkasin sinjalizimit të jashtëm.

“Për me trajtu raste të sinjalizimit të jashtëm, ligji ka përcaktuar disa kushte që duhet plotësuar në atë mënyrë që Agjencia me pas mandate për me trajtu atë sinjalizim. Roli i Agjencionit është edhe në pranimin e raporteve nga ana e institucioneve të sektorit publik, dhe të njëjtën kohë të përgatisë një raport për Kuvendin e Kosovës, ku janë afatet e përcaktuara me ligj”, pohoi ai.

Gjithashtu, ai tha se në mandat të Agjencisë është edhe përgatitja edhe inicimi i procedurave kundërvajtëse ndaj personave të cilët kanë përgjegjësi ligjore për zbatimin e këtij ligji.

Po ashtu, ai ka treguar se çfarë kanë bërë deri tani për informimin e institucioneve publike për Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Ne si institucion e kemi marrë përsipër që në momentin kur ky ligj ka hy në fuqi, i kemi njoftuar të gjitha institucionet e sektorit publik. Po ashtu kemi kërkuar nga institucionet publike që të caktojnë zyrtarin përgjegjës ashtu siç i obligon ligji, dhe ata janë përgjegjës për me trajtu raste të sinjalizimit të brendshëm”, deklaroi ai.

Kelmendi shtoi më tej se në bazë të informatave që kanë pranuar mbi 200 institucione të sektorit publik kanë caktuar zyrtarë përgjegjës.

Gjithashtu, Kelmendi tregoi edhe për numrin e rasteve të sinjalizimit që kanë pasur në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Është një numër i vogël i rasteve të sinjalizimit, ndoshta ka nevojë për një sensibilizim më të gjerë edhe të zyrtarëve përgjegjës. Vitin e kaluar Agjencia i ka trajtu 5 raste të sinjalizimit të jashtëm, ndërsa këtë vit deri tani kemi trajtuar 5 raste.  Në Agjencinë Kundër Korrupsionit janë dy zyrtarë që merren me trajtimin e rasteve të sinjalizimit të jashtëm, vlerësojmë se kemi kapacitete të mjaftueshme”, pohoi ai.

Ndërsa në anën tjetër, Yllka Buzhala nga Lëvizja FOL, organizatë e cila bën monitorimin e zbatimit të këtij ligji, ka treguar se çfarë kanë bërë deri tani në fushën e sinjalizimit.

“Lëvizja FOL prej kohës që ka hy në fuqi ligji për mbrojtjen e informatorëve në atë kohë, është marrë me monitorimin e atij ligji, por edhe sa qytetarët e kuptojnë këtë ligj dhe në të njëjtën kohë përmes aktiviteteve të ndryshme është marrë me promovimin e këtij ligji.

Gjithashtu kemi parë që ky ligj ka zbrazëtira të mëdha, dhe nuk i plotëson kushtet për mbrojtjen e sinjalizuesve në Kosovë, dhe ne që nga ajo kohë kemi bërë raporte të ndryshme ku edhe kemi jep rekomandimet tona që të amandametohet ky ligj. E mira ka qenë që nga viti 2028 e tutje Ministria ka fillu me sponsorizimin e ligjit të ri në fushën e sinjalizuesve ku FOL-i ka qenë në grupin punues për draftimin e këtij ligji, së bashku me plotë akterë tjerë të organizatave të ndryshme civile këtu në Kosovë”, tha ajo.

Buzhala tha se janë fokusuar në atë nëse institucionet publike kanë bërë emërimin e zyrtarëve përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizuesve.

“Ligji siç e dimë ka hy në fuqi në janar të vitit 2019 dhe e kemi parë të udhës që të bëjmë monitorimin e zbatimit edhe të këtij ligji. Fillimisht jemi fokusu në institucionet publike me emërimin e zyrtarëve përgjegjës. Ligji e parasheh që çdo institucion publik që i ka mbi 15 të punësuar atëherë duhet ta emërojë një zyrtarë përgjegjës, për me i pranu edhe trajtu rastet e sinjalizimit në institucionin përkatës”, u shpreh ajo.

Buzhala përmendi edhe disa nga sfidat dhe vështirësitë që kanë hasur në implementin e këtij ligji.

“Gjatë monitorimit tonë ne kemi parë edhe disa sfida dhe vështirësi në implemetimin e këtij ligji, siç është rasti në emërimin e zyrtarëve përgjegjës, ne ua kemi dërguar nga një pyetësor të gjitha institucioneve publike që të na tregojnë nëse kanë emëruar zyrtarin përgjegjës ashtu siç e parasheh ligji, dhe nëse kanë pasur ndonjë rast të sinjalizimit. Ne kemi marrë shumë pak përgjigje, diku rreth 35 pyetësor na janë kthyer. Rregullorja për zyrtarët përgjegjës ende është një draft dhe nuk është aprovuar ashtu siç e ka paraparë ligji”, pohoi ajo.

Së fundmi Lëvizja FOL ka publikuar edhe një raport sa i përket Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ku në raport thuhet se Ministria e Drejtësisë ka dështuar në draftimin dhe miratimin e akteve nënligjore, ku do të paraqiteshin në detaje procedurat për pranimin dhe trajtimin e rasteve.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU. 

Kjo video është realizuar me përkrahjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura këtu, jo domosdoshmërisht paraqesin ato të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri Civile(KFOS)./Telegrafi.com 

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori