LAJMI I FUNDIT:

Nderim për Ismail Kadarenë

Nderim për Ismail Kadarenë

Nga: Besnik Mustafaj

Më 28 janar, Ismail Kadare kishte ditëlindjen. Ai është, në vlerësimin tim, shkrimtari më kryesor në gjuhën shqipe. Sidomos në kontekstin e historisë politike të Shqipërisë për gjysmën e parë të periudhës së tij krijuese, rëndësia e tij është komplekse dhe e tejkalon ndjeshëm rrezatimin e natyrshëm estetik të veprës së tij mbi bashkëkohësit.


Nuk është sigurisht këtu vendi për ta shqyrtuar në gjerësinë e merituar këtë rëndësi. Do të doja vetëm të theksoja, krejt shkurtimisht, ndikimin që ka pasur Ismail Kadare mbi shkrimtarët dhe poetët e brezit tim, që erdhën në skenën letrare të Tiranës në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Nuk besoj se ka ndonjë brez tjetër shqiptarësh që e ka lexuar dhe e njeh veprën e tij letrare sa ne. Brezat e rinj të shkrimtarëve të sotëm, domethënë shkrimtarët dhe poetët “e lirisë”, e kanë të vështirë, në mos të pamundur, ta përfytyrojnë marrëdhënien tonë me fenomenin Kadare.

Ne jemi lindur në kapërcyell të viteve ’50. Parë në suazën e bio-bibliografisë së Kadaresë, kjo periudhë përkon me kohën kur ai kishte botuar dy libra me poezi dhe studionte në Moskë, ku Stalini kishte vdekur, ishte varrosur me lavdi në Kremlin dhe zhvarrosur nga aty me turp, Hrushovi kishte ardhur në pushtet dhe kishte sjellë atë, që historiografia e komunizmit e quan shkrirje të akujve. Ne jemi një brez, pra, i lindur dhe i formuar kulturalisht krejt brenda bunkerit stalinist.

Adoleshenca jonë, koha e ngjizjes sonë kulturore, përkon me një nga periudhat më të zeza, represive, veçanërisht mbi jetën shpirtërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. E kam fjalën për periudhën që pasoi famëkeqin Plenumi i katërt dhe ku Enver Hoxha formuloi edhe tezën e tij detyruese se “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave”.

Diktatori kishte përcaktuar kështu shtampën, brenda së cilës duhej të derdhej talenti ynë. Në rrugën tonë jetësore, ne nuk kishim pasur asnjë mundësi për të marrë ndonjë përvojë tjetër, e cila të na shërbente si piketë krahasimi dhe të na nxiste për të kërkuar diçka më shumë, apo qoftë edhe dika ndryshe

Me mundësitë tona, ne po mësonim gjuhë të huaja. Gjuhë perëndimore, e kam fjalën. E vërteta është se në Tiranë kishin arritur të hynin shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore të shekullit XX. Pavarësisht rrezikut të madh, ata libra të ndaluar qarkullonin nën dorë nga njëri te tjetri. Ne, pra, i lexonim. I pëlqenim, por ndikimi i tyre mbi qasjen tonë ndaj shkrimit, të cilit dëshironim t’i përkushtoheshim, do të kishte mbetur më shumë si një shuarje kurioziteti kulturor pa ekzistencën e Ismail Kadaresë në Tiranë.

E them me bindje se Kafka, Kamyja, Pasternaku apo Milan Kundera do të mbeteshin si një farë e huaj, që nuk mbinte në tokën tonë. Ekzistenca fizike e Ismail Kadaresë midis nesh, me veprat që shkruante këtu, nën këtë klimë terrori, ishte në vetvete përvoja jetike, që na ndihmonte për të besuar se, po, edhe këtu mund të bëhej letërsi e vërtetë.

Ne ndiqnim me gjak të ngrirë sulmet që pushteti ndërmerrte herë pas here kundër shkrimtarit. Ne ishim ende në moshën kur nuk kishim vend në sallat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Se çfarë ndodhte atje brenda, ne e mësonim me të dëgjuar lart e poshtë, që do të thotë se nuk e dinim kurrë çfarë ishte e vërtetë e çfarë ishte thashethem. Por, një gjë dallohej qartë edhe për syrin tonë të pamësuar: që midis pushtetit dhe veprës së Ismail Kadaresë nuk kishte paqe e që ky pushtet, pavarësisht instrumenteve të dhunës që zotëronte, ndihej i dobët përpara kësaj vepre.

Kadare nuk ka luajtur kurrë rolin e mentorit për brezin tonë. As ne nuk ia kemi kërkuar. Asnjëri nga ne nuk u bë pinjoll i stilit të tij. Ne nuk ndërtuam me të marrëdhënien e mjeshtrit me dishepujt. As ai nuk e synoi kurrë një gjë të tillë. Nuk na nevojitej kjo gjë. Ne na mjaftonte që ai të ishte në Tiranë, në studion e tij, me vendosmërinë për të mos tradhtuar vetëdijen e tij si shkrimtar.

Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë që Kadare të bënte heroin si kundërshtar politik i regjimit. Përkundrazi. Nuk do ta dëshironim kurrsesi vetësakrifikimin e tij. Për rritjen tonë, ne na duheshin librat e tij të botuar tashmë dhe po aq pritja e librave të tij të rinj. Përfytyroni për një çast, bie fjala, sikur pas goditjes për poemën “Pashallarët e kuq”, ai të shkonte në burg e të dënohej njëzet vjet. Më e pakta që mund të thuhej sot si bilanc është se nuk do të kishte shkruar romanin “Pallati i ëndrrave”.

Çfarë dobie do të kishte pasur Shqipëria me një të burgosur politik më shumë, por pa një duzinë romanësh, që i bëjnë nder letërsisë shqipe? Dua të them se ka qenë e drejtë qasja e brezit tonë, që përligjte çdo manovër të Kadaresë ndaj regjimit për t’i shpëtuar dënimit. Ne e kemi ruajtur edhe më pas këtë qasje ndaj Ismail Kadaresë, e cila, në thelb, shpreh mirënjohjen tonë të thellë ndaj tij për veprat, që na ka dhënë në periudhën më delikate të jetës sonë si shkrimtarë të ardhshëm. Fakt është se në këto 30 vjet liri është harxhuar shumë bojë për të përgojuar jetën ekstraletrare të Ismail Kadaresë nën diktaturë. Por asnjë nga përfaqësuesit seriozë të brezit tim nuk ka thënë kurrë një gjysmë fjale jashtë vlerësimit, qoftë edhe të nuancuar, për veprat e tij.

Në vitin 1991 kam bërë një shkrim në gazetën “Le Monde”, në polemikë me filozofin francez Bernard – Henri Lévy, i cili e kishte sulmuar Kadarenë pikërisht për jetën ekstraletrare. Aty thosha pak a shumë se Shqipëria nën Enver Hoxhën nuk ishte as si Rusia nën Brezhnjevin, e cila kishte edhe një Saharov, edhe një Sollzenicin.

Shqipëria kishte vetëm Ismail Kadarenë, i cili, me këmbënguljen e vet për të shkruar mirë edhe në atë klimë mbytëse për imagjinatën, na tregonte ne, shkrimtarëve të rinj, se ka një horizont tjetër nga ai që na përcaktonte regjimi, drejt të cilit duhej të ecnim e se letërsia nuk është dogmë. Parë nga lartësitë e së sotmes në interesin kombëtar, ky ndikim i tij për të ardhmen e letërsisë shqipe mbetet shumë më substancial se çdo mënyrë tjetër njerëzore për t’iu kundërvënë diktaturës. Për këtë jam i bindur edhe sot e kësaj dite.

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Liria 1.7

Liria 1.7

Kulture
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
S’KA RRUGËDALJE

S’KA RRUGËDALJE

Poezi
DASHURIA ERDHI

DASHURIA ERDHI

Poezi
Unë jam gjeni!

Unë jam gjeni!

Fjala+
Kalo në kategori