NBA All Stars: Perëndimi dominon Lindjen

Konferenca e Perëndimit pas një sfide magjepsëse mposhti Konferencën e Lindjes me rezultat 163-158. Plot 321 pikë të realizuara, All Star Game i vitit 2015 vendosi një rekord të ri sa i përket pikëve të shënuara duke parakaluar edhe atë vitit të kaluar me 3 pikë më tepër.
Por ky nuk ishte i vetmi rekord që dhuroi mbrëmja magjike e Madison Square Garden në New York, pasi këtë herë u vunë në skenë plot 48 realizime për tre pikë, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ndalej në kuotën e 30 trepikëshave.
Për sa i përket rekordeve personalë mjafton të shikosh paraqitjen e MVP-së së mbrëmjes, lojtarit të Oklahoma City, Rusell Westbrook. Ky i fundit la në hije edhe shokun e tij të skuadrës, favoritin Kevin Durant, duke u shndërruar në MVP e takimit.
26-vjeçari i Oklahomës realizoi plot 41 pikë, duke iu afruar me vetëm 1 pikë rekordit absolut që mbahet nga legjenda e NBA, Wilt Chamberlain me këtë të fundit që në vitin 1962 shënoi 42 pikë në All Star Game.
Westbrook ka të drejtën të krenohet për paraqitjen e tij pasi përveç se udhëhoqi Perëndimin drejt fitores së 4-t në 5 All Star Game të fundit, në pjesën e parë me 27 pikët e tij theu edhe rekordin e Chamberlain, përsa i përket pikëve të realizuara në një fraksion loje. /Supersport/

















































