LAJMI I FUNDIT:

Naim Qelaj anulon vizitën për shkak të fusnotës

Naim Qelaj anulon vizitën për shkak të fusnotës

Koordinatori Nacional për mbrojte nga dhuna në familje, zëvendësministri Naim Qelaj, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin rajonal “Promovimi dhe Implementimi i Konventës së Stambollit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” në Shkup, pasi organizatorët mbishkrimet e përfaqësuesve të Kosovës i ka vënë me fusnotë.

Qelaj tha se nuk do të marrë pjesë në forum pa emërtimin e plotë të Kosovës si shtet i barabartë me vende tjera pjesëmarrëse.


“Pres nga organizatorët të veprojnë dhe të na mundësojnë pjesëmarrjen tonë me evitimin e fusnotës ose të shënohet edhe mendimi i GJND së dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Vendimi për mos pjesëmarrje i Qelaj, është përkrahur edhe nga përfaqësuese të shoqërisë civile, nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës dhe nga Kipred.

Në këtë forum është paraparë të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe shoqërisë civile, dhe ku do të diskutohej implementimi i Konventës së Stambollit në vendet e Ballkanit perëndimor dhe Turqisë, veçanërisht për punën që po bëhet për mbrojtën nga dhuna në familje.

Konferenca, e cila mbahet më 27-28 nëntor, është organizuar nga Unioni Evropian, Këshilli i Evropës, UNWomen, nën përkujdesjen e Qeverisë së Maqedonisë.