“Muzikë dhe valle shqiptare në dasmën e Dua Lipës", Daily Mail zbulon detaje nga ‘dasma e vitit’ në Sicili


Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj i ri, Callum Turner, festuan deri në orën 6 të mëngjesit, ndërsa dasma e tyre luksoze në Siçili, me një kosto të vlerësuar prej 1.7 milion euro, përfundoi me një spektakël fishekzjarrësh që zgjati dhjetë minuta.
Këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar organizuan një festë madhështore në Villa Valguarnera, një rezidencë historike në Bagheria, në lindje të Palermos, ku shkëmbyen betimet martesore gjashtë ditë pas ceremonisë së tyre zyrtare në Bashkinë e Marylebone në Londër, raporton DailyMail.
Megjithëse ende nuk janë publikuar fotografi të çiftit nga ceremonia e së shtunës, është e qartë se kjo ishte dasma më e bujshme e vitit deri tani, falë madhështisë dhe organizimit të saj.

Çifti i mirëpriti rreth 200 të ftuar me ëmbëlsira, muzikë dhe vallëzim, duke u kujdesur që në çdo detaj të pasqyroheshin elemente që simbolizonin historinë e tyre të dashurisë. Besohet se e gjithë ngjarja kushtoi rreth 1.7 milion euro.
Festimet nisën në pasditen e vonë në Villa Valguarnera, një rezidencë e shekullit XVIII. Gjatë ceremonisë, Sir Elton John interpretoi këngën e tij të famshme "Your Song", pasi mbërriti me avion privat nga Farnborough vetëm një orë para fillimit të ceremonisë.
Një kamarier i tha gazetës Daily Mail:
"Një person e mbante nga secili krah për ta udhëhequr, sepse nuk mund të shihte mirë, por ai luajti pianon në mënyrë të mrekullueshme."
Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të rrepta. Rreth vendit të ngjarjes ishte vendosur një perimetër i dyfishtë sigurie, ndërsa të interesuarit që prisnin të shihnin të famshëm mbetën të zhgënjyer, pasi e vetmja personazh VIP që u pa ishte stilistja Donatella Versace.
Ajo kishte krijuar dy fustane të bardhë për Duan: i pari, i mbuluar me diamante vezulluese për ceremoninë, dhe i dyti për festën e madhe që pasoi.
Muzika dëgjohej fuqishëm nga altoparlantët, por për të mos shqetësuar banorët e zonës, ata ishin orientuar drejt brendësisë së vilës.
Policia kishte bllokuar rrugët përreth, ndërsa personeli i sigurisë kontrollonte me kujdes çdo punonjës që hynte në ambientet e vilës. Kamarierëve iu kërkua të dorëzonin telefonat e tyre celularë.

Njëri prej tyre tregoi:
"Na kërkuan të mbulonim kamerat dhe mikrofonët e telefonave me ngjitëse dhe më pas t'i fusnim në qese plastike. E dorëzova telefonin në orën 11 të paradites dhe ma kthyen pas mesnatës. Ishte hera më e gjatë që kam qëndruar pa telefon dhe ndoshta më bëri mirë."
Siç raporton DailyMail, burime pranë organizimit thanë se në dasmë kishte edhe një homazh për trashëgiminë shqiptare të Dua Lipës.

Gazeta shkruan se një grup shqiptar interpretoi muzikë dhe valle shqiptare, ndërsa prindërit e Duas kërcyen dhe duartrokitën me entuziazëm.
Shkëmbimi i betimeve martesore nuk kishte vlerë ligjore, pasi çifti ishte martuar zyrtarisht fundjavën e kaluar në Londër. Ceremonia në Siçili u organizua për rreth 150 familjarë dhe miq.
Përballë vilës ishte vendosur një gjysmërreth karrigesh, ndërsa në qendër ndodhej një pavijon ku çifti shqiptoi betimet.

Në ditën e fundit të festimeve triditore, nusja mbërriti rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, duke bërë një hyrje spektakolare përgjatë një rruge prej afro 200 metrash të rrethuar me bougainvillea.
Me temperaturat që afroheshin pranë 30 gradë Celsius, të ftuarit përdornin abaniko të vendosura mbi karrige, të qëndisura me inicialet "D" dhe "C", si dhe fshinin djersën me shami ku ishte qëndisur me të kuqe fraza romantike:
"Stay mad with me forever" ("Qëndro përgjithmonë i/e çmendur pas meje").
Më pas të ftuarit shijuan një koktej në tarracë përpara se të uleshin për një darkë me tre pjata, të përgatitur nga shefi i njohur Tony Lo Coco, i vlerësuar nga guida Michelin.
Menuja përfshinte:
Anelletti alla Norma (makarona siciliane me patëllxhan);
Panelle (petulla tradicionale me miell qiqrash);
Crocché (toptha patatesh të skuqura).
Për ëmbëlsirë u shërbyen cannoli dhe cassata, një tortë tradicionale siciliane.

Brendësia e vilës ishte zbukuruar me bozhure dhe zymbylë, ndërsa ishin vendosur edhe kabina fotografike ku të ftuarit mund të bënin fotografi kujtim.
Perdja e kabinës ishte e qëndisur me mbishkrimin "Dua & Callum".

Një nga të ftuarit, Antoine Billore, publikoi në Instagram disa fotografi që tregonin dekorimin elegant të tavolinave brenda vilës.
Pak para orës 23:30, qielli mbi Villa Valguarnera u ndriçua nga një spektakël mahnitës fishekzjarrësh që zgjati dhjetë minuta.
Fishekzjarrët me ngjyra ari, të bardhë dhe blu ndriçuan natën, ndërsa të pranishmit ngritën kokën për të shijuar pamjen spektakolare.

Banorët vendas ndaluan makinat për të parë shfaqjen dhe brohoritën me urimin tradicional italian:
"Viva gli sposi!" ("Rroftë çifti i sapomartuar!").
Në mesnatë, të ftuarit ngritën dolli me shampanjë Blanc de Blanc, ndërsa pak më vonë disa nga të ftuarit më të moshuar u larguan.
Muzika e Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou pushtoi pistën e vallëzimit, ku të rinjtë vazhduan festën deri në orët e para të mëngjesit.
Një burim tha:
"Donatella dhe Elton u larguan pas darkës; nuk qëndruan për fishekzjarrët. Disa nga të ftuarit më të moshuar u larguan menjëherë pas mesnatës. Por të rinjtë vazhduan festën. Fillimisht vallëzimi u zhvillua në sallën kryesore, pastaj festa vazhdoi brenda me DJ që luanin muzikë deri në orën 6 të mëngjesit."
Edhe pse kishte zëra se në dasmë mund të merrnin pjesë Madonna, Harry Styles dhe Robbie Williams, ata nuk u panë. Megjithatë, në mesin e të ftuarve kishte shumë emra të njohur, përfshirë Charli XCX dhe bashkëshortin e saj, George Daniel, bateristin e grupit The 1975.
Gjithashtu besohet se të pranishëm ishin aktori Joe Alwyn, producenti Mark Ronson me bashkëshorten Grace Gummer, Kevin Turner, Laura Vandall, Edgar Kerri dhe këngëtarja Olivia Dean.
Në fund të festës, të ftuarit u larguan me një flotë furgonësh të zinj Mercedes Vito, duke i dhënë fund tre ditëve të festimeve.
Çdo detaj i ngjarjes duket se ishte planifikuar me kujdes nga organizatorja e famshme e dasmave, Alessandra Grillo.
Vëmendja ndaj detajeve kishte nisur që në mbrëmjen e mirëseardhjes të së premtes, kur sheshi ku u organizua kokteji ishte dekoruar me rafte librash, një referencë e ëmbël ndaj mënyrës se si çifti ishte njohur.
Megjithëse kishin qenë pranë takimit disa herë më parë, Dua Lipa dhe Callum Turner u njohën për herë të parë në restorantin River Cafe në Londër, ku u prezantuan nga Ruthie Rogers, pronarja e restorantit të famshëm.
Takimi i parë ishte i shkurtër dhe nuk solli asgjë më shumë në atë kohë. Por një vit më vonë, në vitin 2024, ata u takuan sërish rastësisht dhe kështu nisi historia e tyre e dashurisë.















































