Tetë skuadra nga qytete të ndryshme të vendit tonë, kanë sprovuar forcat në “Beach Soccer Kosova 2014”, që kësaj radhë mbahet në qendër të Prishtinës dhe nën dritat e reflektorëve tek Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Qytetarë të Prishtinës për disa orë janë zbavitur në atmosferën braziliane si në plazhet e Copacabanës.


Arlind Grantolli, organizator i “Beach Soccer Kosova 2014”, i ka thënë KosovaPress-it se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë ngjarje sportive e atraktive.

Ai thotë se risi e këtij edicioni është së “Beach Soccer Kosova 2014” mbahet në zemër të kryeqyteti të Kosovës. Grantolli thotë se interesimi për këtë garë ishte shumë i madh, por sipas tij, për shkak të kushteve atmosferike që kanë mbretëruar në Kosovë ditëve të fundit, turneu do të jetë një ditore.

“Për herë të parë mbahet në qendër të qytetit të Prishtinës, më këtë rast Prishtina i bashkohet metropoleve të ndryshme botërore, duke organizuar një ngjarje të tillë dhe pikërisht kjo është një nga risit e mëdha”, ka thënë Grantolli.

Ai thotë se nuk është lehtë që të organizohet një ngjarje e tillë sportive, sepse sipas tij, ky sport dallon shumë nga futbolli që luhet në fushën e gjelbër dhe në palestrat sportive.

Ai ka falënderuar Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe donatorët që kanë ndihmuar në zhvillimin e kësaj ngjarje sportive e atraktive.

“Beach Soccer Kosova 2014” ka nisur me përballjen mes fituesit të edicionit të kaluar, MEGA Sport dhe finalistit të vitit të kaluar, Policisë së Kosovës.

Futbollisti i MEGA Sport, Huar Morina mendon se skuadra e tij është e aftë që ta përsërit suksesin e vitit të kaluar. Ai mendon se këtë herë atmosfera është më e mirë, pasi që luhet midis qendrës së Prishtinës.

“Është hera e tretë që marrë pjesë në turneun ‘Beach Soccer’, do të mundem të shkojmë deri në finale dhe të arrijmë atë që kemi arritur vitin e kaluar. Sivjet duket se atmosfera është më e mirë se vitin e kaluar që ishim në Batllavë. Është në kryeqytet, midis qendrës dhe është një organizim shumë i mirë”, tha Morina.

I kënaqur me organizmin e “Beach Soccer Kosova 2014”, është shprehur edhe kapiteni i ekipit të Policisë, Amir Gerguri. Ai mendon se organizmi i një ngjarje të tillë është mjaft kreative. Gerguri shpreson se ekipi i tij do ta fitojë këtë turne.

“Sigurisht se ambiciet tona janë të njëjta, jo të shkojmë vetëm në finale, por edhe ta sigurojmë vendin e parë atë që nuk e kemi arritur me realizuar vitin e kaluar. Organizatori i ka bërë të gjithë ato që është dashur t’i bëjë që të jetë një organizim i mirëfillte dhe ideja është shumë kreative. Besoj se kushtet janë më të mira se vitin e kaluar dhe mendoj se do të kalojmë mirë”, theksoi Gerguri.

Organizatorët e kësaj ngjarje për skuadrën fituese do të ndajë 1000 euro, kurse skuadra e dytë do të shpërblehet me 500 euro. /KP/Telegrafi/ 

telegrafi sport app