LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Ka argumente për parregullsi, është dashur të bëhet rinumërimi

Mustafa: Ka argumente për parregullsi, është dashur të bëhet rinumërimi

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas vendimit të PZAP-së, i cili hodhi poshtë ankesat e kësaj partie për parregullsi dhe kërkesën për rinumërim të votave në Prishtinë, ka thënë se nuk e di se si do të vazhdohet më tutje dhe se kjo çështje a do të shkoj në instanca më të larta.

Sipas tij, i mbetet shtabit të Prishtinës të vendos për këtë dhe se a kanë argumente për të vazhduar më tutje.


Megjithatë thotë se ka argumente që flasin për parregullsi të këtij procesi dhe se është dashur të bëhet rinumërimi i votave ashtu siç ka kërkuar LDK.

“Ne do t’ia lëmë shtabit të Prishtinës që ata të ulen ta lexojnë ankesën. Në qoftë se kanë argumente të vazhdojnë dhe më tutje, në qoftë se nuk kanë ata do të vlerësojnë. Unë mendoj se argumente ka sepse ka pasur parregullsi. Mendoj se është dashur të bëhet rinumërimi i votave. Ne nuk e kemi paragjykuar kush është fituesi, mirëpo kemi qenë që të shkojnë me një proces të pastër, transparent dhe i pranueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Përdryshe, LDK kishte dërguar në PZAP ankesa, ku kishte kërkuar dhe rinumërim në Prishtinë, pasi që konsiderojnë se ka pasur parregullsi.

Ndërsa PZAP i ka hedhur poshtë këto ankesa, duke i vlerësuar si të e palejueshme dhe një pjese e apelit është refuzuar si i pa bazuar.