eksperti ad

Vala e të nxehtit ekstrem ka ndërprerë festimet e Ditës së Pavarësisë më 4 korrik në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar anulimin e paradave dhe mbylljen e disa ngjarjeve publike, përfshirë edhe në Washington DC.

Një panair i madh në kryeqytet, i organizuar për të shënuar 250-vjetorin e SHBA-së, u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës shfaqën probleme shëndetësore të lidhura me temperaturat e larta. Disa persona u transportuan me ambulancë për trajtim mjekësor.


Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, më shumë se 165 milionë njerëz u përballën me temperatura rekord përgjatë Bregut Lindor dhe rajonit Midwest.

Në disa zona, temperaturat iu afruan niveleve historike, duke krijuar kushte të rrezikshme për aktivitetet në natyrë, shkruan bbc.

Si pasojë e kushteve ekstreme, një numër ngjarjesh festive u anuluan në disa shtete, përfshirë Pennsylvania, New Jersey, Maryland dhe Colorado. Ndër to ishte edhe një paradë e madhe në Philadelphia, e planifikuar si një nga ngjarjet kryesore të festës.

Autoritetet lokale në Washington DC dhe qytete të tjera lëshuan paralajmërime për rrezik të lartë nga i nxehti, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell. Disa aktivitete zyrtare u shtynë ose u riorganizuan për arsye sigurie.

Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa në disa rajone priten edhe stuhi të forta.

Ekspertët theksojnë se frekuenca dhe intensiteti i valëve të tilla të të nxehtit po rriten si pasojë e ndryshimeve klimatike globale. /Telegrafi/