Muhaxheri pret kampionen evropiane Distria Krasniqi, vlerëson suksesin në Tbilisi

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, së bashku me nënkryetarin Fatmir Asllani dhe drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhenet Syka, kanë pritur në takim kampionen evropiane në xhudo, Distria Krasniqi.
Në këtë takim, Krasniqi ishte e shoqëruar nga kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajneri Fatos Tabaku.
Kryetari Muhaxheri e përgëzoi xhudisten për suksesin e saj në arenën ndërkombëtare, pas fitimit të medaljes së artë në Kampionatin Evropian të xhudos, të mbajtur në Tbilisi.
“E përgëzojmë për suksesin e jashtëzakonshëm dhe medaljen e artë në Kampionatin Evropian, një arritje që na bën krenarë të gjithëve”, është shprehur Muhaxheri.
Sipas njoftimit, në këtë kampionat kanë marrë pjesë rreth 400 garues nga 46 shtete, çka e bën këtë sukses edhe më domethënës për sportin kosovar.
Muhaxheri ka vlerësuar përkushtimin dhe disiplinën e Krasniqit, duke theksuar ndikimin e saj te të rinjtë.
“Arritjet e saj janë një frymëzim i madh për të rinjtë e Komunës së Pejës dhe më gjerë”, ka theksuar ai.
Ai gjithashtu ka ritheksuar mbështetjen e komunës për sportistët dhe zhvillimin e sportit në përgjithësi. /Telegrafi/




















































