Gratë shtatzëna pa përvojë, që presin fëmijën e tyre të parë, shpesh nuk e dinë, si t’i dallojnë kontraktimet e mitrës, të cilat në javët e fundit vijnë gjithnjë e në rritje

Mos erdhi momenti? Ka kohë deri në spital? Si ta kuptoj se cilat janë pikërisht dhimbjet serioze?

Barku ka marrë përmasa të mëdha dhe perimetri i tij ka arritur plot 100 cm. Nuk është për t’u habitur pasi bebi brenda tij vazhdon të shtojë shumë në peshë, transmeton Telegrafi.

Në muajin e nëntë gati një kilogram dhe në javët e fundit të këtij muaji edhe 600 deri në 800 gr. Me këtë depozitë dhjami ai siguron një mbrojtje të mjaftueshme që pas lindjes do ndryshojë temperaturën e ambientit nga 37ºnë një temperaturë 10 deri në 15 gradë më të ftohtë. Tani lëkura e tij po kthehet në ngjyrë rozë pasi po humbet shpejt pushin edhe shtresën e bardhë që mbulonte trupin.

Në të vërtetë bebi është shumë i lodhur në ‘banesën’ e tij 1 x 1. Por përsëri i bën mirë çdo ditë e re në barkun e nënës. Në këto javë të fundit ai merr nëpërmjet gjakut të nënës jo vetëm ushqim dhe oksigjen, por edhe antitrupa kundër sëmundjeve si gripi, shytat apo fruthi, të cilat nëna i ka kaluar një herë ose për të cilat është vaksinuar.

Gjatë gjashtë muajve të parë në jetën e tij të pavarur ai ka një mbrojte të veçantë ndaj infeksioneve. Ndërkohë ai provon të testojë të gjitha funksionet jetësore për një fillim të mbarë në jetë. Përditë ai pi shumë lëng amniotik (lëngu që e rrethon), për të vënë në punë stomakun, veshkat, fshikëzën e urinës. Aftësinë e tij të të thithurit ai e ushtron duke thithur gishtin e madh të dorës.

Edhe për frymëmarrjen ai përgatitet. Me ndihmën e echo-s mund të vëzhgohen lëvizjet gjatë frymëmarrjes. Në fund të muajit të nëntë, mushkëritë janë zhvilluar aq shumë saqë bebi nuk ka asnjë vështirësi për frymëmarrjen e pavarur, nëse do të vinte tani në jetë. Lëngu amniotik i cili ka përfunduar në mushkëri, largohet përsëri jashtë gjatë lindjes.

Edhe qëndrimi i tij ngushtë në dhomëzën e barkut të mamit hyn tek programi ushtrimor. Bebi mëson në këto kushte të parapërgatitet për shtypjen e madhe gjatë lindjes.

Koha kalon dalëngadalë, gjatë kësaj faze të fundit. Mbushja e thellë me frymë është e pamundur për nënën. Për të ngrënë mundet vetëm në racione të vogla, sepse stomaku i ngjeshur lart nuk ia lejon. Për net të qeta as që mendohet.

Bebi shtyn. Edhe shumë nuk zgjat tani deri sa bebi të vijë në jetë. Po, ka nevojë edhe për të paktën pak javë të rritet.

Barku me njeriun e vogël brenda, tani është kthyer në qendër të jetës. I parehatshëm, por edhe temë plot lumturi, padurim dhe gjithnjë e më shumë pyetje plot ankth. “Sa të forta do të jenë dhimbjet e lindjes? Si do të dalë nga unë gjithë ky bebi i madh? Nuk do të më lënë vetëm nëse kam nevojë për ndihmë?”

“Kriza” të tilla janë të kuptueshme. Në fund të fundit ky është një hap i madh drejt së panjohurës. Por në fund të fundit kështu kanë ardhur në jetë të gjithë njerëzit dhe kjo të jep zemër: “Çfarë e arrijnë të tjerët, do ta arrij edhe unë.”

Shijoni edhe këto momente që ju kanë ngelur të dyve si trup i vetëm. Shijoni një banjë aromatike, takoni shoqe, qetësohuni sepse trupi i vogël por i pushtetshëm që mezi pret të dalë, kërkon nga ju energji.

Dhimbjet e veçanta të javëve të fundit

Si dallohen dhimbjet e padëmshme nga dhimbjet e vërteta të lindjes? Gratë shtatzënë pa përvojë, që presin fëmijën e tyre të parë, shpesh nuk e dinë, si t’i dallojnë kontraktimet e mitrës, të cilat në javët e fundit vijnë gjithnjë e në rritje. Mos erdhi momenti? Ka kohë deri në spital?

Si ta kuptoj se cilat janë pikërisht dhimbjet serioze?

Dhimbjet gjatë zbritjes poshtë të bebit

Rreth tre deri në katër javë para lindjes, ndonjëherë edhe vetëm pak kohë para lindjes, bebi shtyn për poshtë në legenin e nënës. Hasen në distanca kohore jo të rregullta dhe largohen shpejt.

Disa gra ndiejnë një therje në kryqe, të tjera gra jo. Por rezultati është gjithnjë i qartë: barku ulet dukshëm.

Dhimbjet e paralindjes

Me dhimbjet e paralindjes nuk është dhe aq e thjeshtë. Në javët e fundit para lindjes barku forcohet gjithnjë e më shumë e më shpesh. Këto dhimbje nuk shfaqen rregullisht, nuk bëhen më të forta dhe normalisht nuk janë të dhimbshme. Zakonisht ato pushojnë pas një kohe relativisht të shkurtër.

Dhimbje të tilla nuk kanë ende të bëjnë me fillimin e lindjes, por luajnë një rol të rëndësishëm në parapërgatitjen: ato stërvisin mitrën për punën e saj të vështirë. Përveç kësaj lëshohet qafa e mitrës. Nën presionin e vazhdueshëm të bebit, qafa e mitrës shkurtohet duke qenë kështu një ndihmesë për lindjen.

Dhimbjet e hapjes

Ndryshe nga dhimbjet e paralindjes, dhimbjet me të cilat lajmërohet lindja, shfaqen rregullisht dhe janë të dhimbshme.

Këto dhimbje kanë një ritëm të njëtrajt­shëm. Rriten në formë valësh deri në një pikë maksi­male dhe bien sërish. Zgjasin 40 deri në 60 sekonda. Fillimisht në distanca kohore të gjata të cilat vijnë gjithnjë e më të shkurtra e më intensive.

Ndryshe nga dhimbjet e paralindjes, këto kontraktime nuk zvogëlohen, por forcohen nëse gruaja shtatzënë qëndron shtrirë ose bën një banjë.

Një tjetër shenjë dalluese: dhimbjet e paralindjes ndihen gati gjithnjë në bark, ndërsa dhimbjet e hapjes bëhen kryesisht të dallueshme përmes një tërheqje në shpinë. Koha e vërtetë për tu drejtuar për në spital është kur dhimbjet shfaqen në largësi 5 minuta nga njëra-tjetra. Megjithatë kjo vlen për gratë që presin fëmijën e tyre të parë.

Tek çdo fëmijë tjetër që vjen pas të parit duhet të niseni drejt spitalit disi më herët: kur dhimbjet kanë një distancë prej tetë deri në dhjetë minuta nga njëra-tjetra.

Edhe kur dallimi i dhimbjeve të paralindjes dhe të hapjes është i qartë në kokë – në bark duket krejt ndryshe. Pasi jo gjithnjë dhimbjet i qëndrojnë kornizave të mësipërme. Përveç kësaj, nëna humbet qetësinë nga nervozizmi: A zgjati kjo dhimbje 40 sekonda? Po bëhen kontraktimet më të forta, apo po fantazoj?

Në rast dyshimi, telefononi në klinikë për të kërkuar sqarim. E mos kini frikë, se bebi do të lindë rrugës për në spital. Shumica e fëmijëve, kryesisht të parët, marrin kohë pas nisjes së dhimbjeve të hapjes mesatarisht edhe pesë deri në tetë orë, deri sa vendosin t’ ju përshëndesin.

Edhe një alarm fals nuk është tragjedi. Shumë prindër e njohin këtë udhëtim të parakohshëm për në klinikë. Kthehen përsëri në shtëpi duke qeshur dhe në rastin e dytë janë kryesisht më të lehtësuar.

Çfarë ndodh nëse bebi vonohet?

Bebi e vendos vetë se kur do të vijë në këtë jetë. Nëse ka arritur peshën e lindjes dhe është gati për jetën jashtë, ai çliron hormone dhe shënon kështu shenjat e startit për dhimbjet e lindjes. Siç duket jo të gjithë bebushat janë të përpiktë me datën e lindjes të përllogaritur nga mjeku. Vetëm pesë për qind e tyre i qëndrojnë këtij takimi. Veçanërisht fëmijët e parë të japin kohë t’i presësh.

Është e kuptueshme se nënat bëhen nervoze dhe të paduruara kur dita e shumëpritur kalon qetë-qetë. Kontrollet mjekësore japin siguri. Megjithatë nuk duhet të merakoseni. Pasi për mjekët sot nuk është asnjë problem për të kontrolluar nëse çdo gjë shkon mirë me bebin.

SHENJAT E LINDJES

Një numër shumë i madh i grave që presin fëmijën e tyre të parë, shqetësohen se mos nuk do të arrijnë të kuptojnë, se kur nis lindja, transmeton Telegrafi.

Këto ankthe nuk duhet të ekzistojnë, pasi janë tre shenja të ndryshme dalluese, të cilat sinjalizojnë se së shpejti fillon.

Qafa e mitrës hapet

Gjatë shtatzënisë qafa e mitrës qëndron e mbyllur me anë të një mase mukusi. Kur qafa e mitrës nis të hapet, del mukus i përzier me gjak në një herë të vetme ose si sekrecion e nga vagjina.

Rrjedh lëngu amniotik

Në pjesën më të madhe të rasteve thesi amniotik plas nga presioni i dhimbjeve, por ndonjëherë edhe krejt papritur, para se të shfaqen dhimbjet. Pikë-pikë ose në një rrjedhë të vetme rrjedh lëngu amniotik (plasin ujërat). Është i qartë dhe nuk ndalet edhe nëse kontrakton muskujt. Në këtë rast gruaja shtatzënë duhet të drejtohet menjëherë në klinikë.

Dhimbjet

Kontraktime të mitrës që ndeshen rregullisht, të cilat sa vi­jnë dhe forcohen, janë tregues se goja e mitrës po hapet dhe se lindja do të fillojë së shpejti.Nëse këto dhimbje ndeshen gjithnjë e më afër në kohë me njëra-tjetrën dhe zgjasin gjithnjë e më shumë, janë me siguri shenjë e fillimit të lindjes. /Telegrafi/