LAJMI I FUNDIT:

Mosfaturimi i energjisë në veri, Bislimi fajëson Brukselin

Mosfaturimi i energjisë në veri, Bislimi fajëson Brukselin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka fajësuar ndërmjetësuesit në Bruksel për moszbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, për të cilin Kosova e Serbia u pajtuan në qershor të vitit të kaluar.

Në bazë të kësaj marrëveshje parashihej që të fillojë faturimi i energjisë elektrike në komunat në veri të vendit. Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.


Në një konferencë për media të mërkurën, Bislimi ka thënë se Kosova është e vetmja palë e cila në plotëni ka përmbushur obligimet e saj të kësaj marrëveshje.

“Udhërrëfyesi për energjinë ka paraparë që gjendja me energji të normalizohet deri në tetor dhe për normalizim të situatës me energji është dashur që të zbatohen disa veprime nga Qeveria, KEDS-i, KOSTT-i, BE-ja dhe Elektroserveri. E vetmja palë e cila në plotëni ka përmbushur obligimet e saj është Qeveria e Kosovës e cila e ka licencuar Elektroserverin brenda 48 orëve pas nënshkrimit të udhërrëfyesit dhe e ka pajisur me kodin e identifikimit për energji”.

Sipas tij, pika që ka mbetur pa përmbushur është dërgimi i të dhënave të plota të konsumatorëve që është dashur të kryhen nga Elektroserveri brenda një afati shtatëditor, por që nuk ka ndodhur as deri sot.

“Janë nënshkruar edhe marrëveshjet mes KOSTT-it dhe Elektroserverit. Ato pika që kanë mbetur pa përmbushur janë dërgimi i të dhënave të plota të konsumatorëve që është dashur të kryhen nga Elektroserveri brenda një afati shtatëditor, por që nuk ka ndodhur as deri sot përveç disa të dhënave të falsifikuara që janë dërguar pas 100 ditësh. Nuk është përmbushur as pika e nënshkrimit të kontratës kornizë me KEDS-it dhe Elektroserverit”.

“Po ashtu, nuk është përmbushur as pika 5 e marrëveshjes, e cila kërkon që KEDS dhe KOSTT të kenë qasje të vazhdueshme dhe të përhershme në stacionin në Vallaq. Arsyeja pse nuk është finalizuar kjo marrëveshje qëndron në rezistencën e Elektroserverit që të nënshkruajë marrëveshje sipas udhërrëfyesit”.

“Ata insistojnë në respektimin e një marrëveshje që gjoja e kanë nënshkruar me KEDS-in në Stamboll, e cila nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit. Mendoj se një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes e ka Brukseli”, është shprehur Bislimi.

Tutje, ai ka thënë se ndërmjetësuesit në Bruksel jo vetëm që e kanë toleruar takimin në Stamboll, por edhe kanë dërguar sinjale të gabueshme te Elektroserveri përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve që s’kanë të bëjnë asgjë me marrëveshjen e Brukselit. /Telegrafi/