LAJMI I FUNDIT:

Monego paralajmëron ankesë në gjykatë lidhur me ligjshmërinë e vendimit të BQK-së

Monego paralajmëron ankesë në gjykatë lidhur me ligjshmërinë e vendimit të BQK-së
Përfaqësues të Monego në një konferencë për medie | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
-->

Kompania Monego ishte mbyllur nga Banka Qendrore e Kosovës, me arsyetimin se kanë devijuar nga planet e biznesit.

Investitorët e Monego sot në konferencë për shtyp paralajmëruan se javën tjetër do të paraqesin një kërkesë në gjykatë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mbylljen e kompanisë.

Aldis Umblejs, përfaqësues i aksionarëve të Monego, tha se ata kanë plane afatgjata operacionale në Kosovë dhe se janë të gatshëm të gjejnë një dialog me autoritetet mbikëqyrëse për të rifituar licencën.

“Operacionet tona gjithmonë kanë qenë të bazuara në transparencë, në parimet më të larta të qeverisjes korporative dhe përgjegjësi ndaj vendit në të cilin veprojmë. Ne gjithmonë i kemi respektuar të gjitha ligjet dhe rregulloret në Kosovë sepse duam të punojmë këtu në plan afatgjatë. Prandaj vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ishte një befasi për ne”, tha Aldis Umblejs, përfaqësues i aksionarëve të Monego.

Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte vendosja e një mase të përkohshme që do t’i lejonte të drejtonin biznesin e tyre derisa gjykata të vendosë nëse vendimi ishte legjitim.

Kjo gjithashtu do të largonte çdo shqetësim në lidhje me aftësinë e likuiduesit të caktuar për të siguruar ri-kthimin e investimeve të aksionarëve Monego.

Aldis Umblejs, përfaqësues i aksionarëve të Monego | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Ne ndjejmë përgjegjësi ndaj punonjësve dhe klientëve tanë që të gjejmë mënyrën e rikthimit të licencës së Monego-s. Vendimi i likuiduesit Visar Zeneli për pezullimin e degëve krijon pasiguri të vendeve të punës për 250 punonjës të kompanisë në Kosovë. Andaj, ne i kërkojmë likuiduesit Zeneli, të ketë transparencë të plotë në aktivitetet e tij, ndërsa nga Banka Qendrore kërkojmë që të konfirmojë që të gjitha fondet Monego do të ri-kthehen, duke filluar me gjërat bazike-hapjen e degëve në mënyrë që njerëzit të mund të paguajnë kreditë e tyre,” deklaroi Umblejs.

Ndërsa, avokati Arianit Koci tha se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për revokimin e licencës së Monego është i paqëndrueshëm.

Monego me letër të hapur drejtuar Presidencës, Qeverisë dhe BQK-së
Lexo po ashtu Monego me letër të hapur drejtuar Presidencës, Qeverisë dhe BQK-së

“Unë mendoj se zgjidhja më e mirë për të adresuar situatën aktuale do të ishte vendosja e një mase të përkohshme që do t’i lejonte investitorit të Monego të drejtojë biznesin e tij, derisa gjykata të vendosë nëse vendimi i Bankës Qendrore ishte i ligjshëm. Ne besojmë se një vendim i tillë gjithashtu do të largonte çdo shqetësim në lidhje me aftësinë e likuiduesit të caktuar për të siguruar rikuperimin e investimeve të Monego”, tha Koci.

Banka Qendrore, në vendimin e saj për revokimin e licencës, thekson se aktivitetet e Monego nuk ishin në përputhje me planin e biznesit të kompanisë. Por, sipas avokatit Koci referimi në planin e biznesit si një dokument ligjërisht detyrues është një keqinterpretim i ligjit.

Arianit Koci, avokat | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Arsyet për revokimin e një licence janë të artikuluara qartë në Ligj. Arsyet e përdorura nga Banka Qendrore nuk janë asnjë prej tyre. Për këtë arsye, ne kemi shumë besim në argumentet tona ligjore. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe ai duhet të respektohet. Nuk mund një kompani me kapital të huaj të mbyllet brenda nate. Ne duhet të dëshmojmë se Kosova është një shtet ku sundon ligji. Rasti Monego nuk është çështje vetëm ndërmjet kësaj kompanie dhe institucioneve të Kosovës, por është çështje e reputacionit të Kosovës në nivelin evropian. Nëse një kompani e huaj merret dhe mbyllet pa ndonjë bazë ligjore, ne mund të harrojmë anëtarësimin në BE dhe investimet e huaja”, shpjegon Koci.

Protestojnë punëtorët e Monego-s, kërkojnë hapjen e degëve të kompanisë dhe kthimin në vendet e punës
Lexo po ashtu Protestojnë punëtorët e Monego-s, kërkojnë hapjen e degëve të kompanisë dhe kthimin në vendet e punës

Monego ishte mbyllur nga BQK, me arsyetimin se kanë devijuar nga planet e biznesit. BQK pati deklaruar se devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit që kanë rezultuar më të larta nga ajo që e kanë paraparë në plan dhe si të tilla ato kanë paraqitur rrezik për stabilitetin bankar. Sipas BQK-së, të gjithë personat që kanë marrë kredi do t’i kthejnë ato si kredi likuidaore. /Telegrafi/