Mitrovica bëhet sërish pikëtakim i muzikës jazz, teksa edicioni i katërt i “Mitrovica International Jazz Days” do të mbahet nga 16 deri më 18 shtator.

Festivali ndërkombëtar i jazz-it po i afrohet edicionit të radhës, duke sjellë në Mitrovicë muzikantë të njohur nga skena ndërkombëtare, rajonale dhe ajo vendore.


Organizatorët kanë bërë të ditur se për tri ditë, qyteti do të jetë nikoqir i një programi të pasur muzikor, me artistë dhe performanca që synojnë të krijojnë një përvojë të veçantë për adhuruesit e jazz-it dhe muzikës live.

Një prej pikave kryesore të edicionit të sivjetmë do të jetë koncerti hapës i Snarky Puppy, grupit amerikan që është vlerësuar me pesë çmime Grammy dhe konsiderohet një prej grupeve më energjike të muzikës live.

Snarky Puppy do të performojë në Mitrovicë si pjesë e turneut të tyre evropian të vitit 2026, ndërsa koncerti në Kosovë do të jetë performanca e tyre e vetme në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij turneu.

Snarky Puppy sjellin energjinë e jazz-it modern në Mitrovicë

Të njohur për ndërthurjen e jazz-it me funk, rock, soul dhe elemente të tjera muzikore, Snarky Puppy kanë ndërtuar një reputacion ndërkombëtar falë performancave të tyre energjike dhe krijimtarisë së veçantë.

Në repertorin e tyre përfshihen edhe disa prej veprave më të njohura të grupit, përfshirë “Lingus”, një prej kompozimeve që është kthyer në simbol të stilit të tyre.

Grupi ka vazhduar të eksperimentojë edhe me projekte të reja. Në vitin 2025, ata publikuan projektin orkestral “Somni”, të realizuar në bashkëpunim me orkestrën e njohur holandeze Metropole Orkest.

Përmes kësaj qasjeje, Snarky Puppy kanë vazhduar të zgjerojnë kufijtë e jazz-it bashkëkohor, duke ndërthurur virtuozitetin instrumental me energjinë e muzikës live.

Dy ditë me muzikë falas

Një tjetër veçori e edicionit të katërt të “Mitrovica International Jazz Days” është fakti se dy ditë të festivalit do të jenë falas për publikun.

Vetëm koncerti hapës i Snarky Puppy do të jetë me pagesë, ndërsa për pjesën tjetër të programit pjesëmarrja do të jetë pa pagesë.

Organizatorët kanë ftuar publikun nga Mitrovica, Kosova, rajoni dhe më gjerë që t’i bashkohet festivalit dhe të përjetojë atmosferën e muzikës jazz në qytet.

Me një grup të vlerësuar me pesë Grammy si emër kryesor të koncertit hapës dhe me një program që bashkon artistë ndërkombëtarë, rajonalë e vendorë, Mitrovica International Jazz Days synon të vazhdojë ta forcojë pozitën e Mitrovicës si një prej destinacioneve të rëndësishme për muzikën jazz në rajon.

Edicioni i katërt i festivalit do të zhvillohet nga 16 deri më 18 shtator, ndërsa biletat për koncertin e Snarky Puppy janë në dispozicion për publikun. /Telegrafi/