Origjina e evropianëve të sotëm është e zhytur ende në mister dhe është objekt i debateve të shumta. Arkeologët dhe gjuhëtarët kanë diskutuar gjatë mbi origjinën e familjes indo-evropiane, si dhe origjinën e qytetërimit dhe njerëzve të vendosur në Evropë. Zbulimet e viteve të fundit, sugjerojnë se origjina e kulturës evropiane, si dhe disa kulturave të Azisë Qendrore, gjendet tek një kulturë e lashtë e quajtur Jamnaja (yamnaya).

Para vitit 9000 p.e.s., Evropa ndodhej ende në Epokën e Paleolitit. Ajo ishte e populluar kryesisht nga njerëzit gjahtarë-mbledhës, të cilët nuk jetonin shumë ndryshe nga sa kishin jetuar kur mbërritën fillimisht në Evropë, rreth 37 000 vjet më parë. Por, rreth vitit 9000 p.e.s., bujqësia dhe jeta rurale nisi të përhapej në mbarë Evropën dhe, duke filluar nga vitit 5000 p.e.s,, kontinenti nisi të banohej kryesisht nga fermerët e Neolititit.

Rreth viteve 5000-3000 p.e.s., në Evropë dhe ndoshta stepat e Azisë, nisi të përhapet kultura e Epokës së Bronzit. Nga një këndvështrim, ky ndryshim lidhej me rrjetet tregtare që ekzistonin në të gjithë Euroazinë. Evropianët ishin në kontakte tregtare me njerëzit e Lindjes së Mesme dhe stepat e Euroazisë, dhe ata adoptuan teknologjinë dhe mënyrën e jetesës të huajve që ishin më të përparuar në aspektin teknologjik.

Studimet e fundit kanë zbuluar se shumica e evropianëve të Evropës Qendrore dhe asaj të Veriut, si dhe disa grupime në Azinë Qendrore, i përkasin komunitetit Jamnaja. Duke filluar nga vitet 2800-3000 p.e.s., jamnajat u zhvendosën nga diku në Rusinë e sotme Perëndimore ose në Ukrainë, dhe nisën të vendosen në fushat e Evropës Qendrore.

Sekuencimi i gjenomit njerëzor e ka bërë më të lehtë gjurmimin e migracioneve njerëzore, teksa popullatat e ndryshme kanë gjene karakteristike, të cilat pastaj mund të përdoren për të gjurmuar një rrugë të caktuar migrimi të lashtë. Euroazia ka qindra gjenome të larmishme njerëzore që mund të studiohen, për të deshifruar migrimin e dikurshëm brenda popullatave euroaziatike.

Një aspekt interesant i emigrimit të fiseve jamnaja, është se ishin kryesisht burra. Provat gjenetike sugjerojnë se burrat u martuan me gratë evropiane, për të krijuar disa popullata evropiane moderne, veçanërisht popullin e Evropës Qendrore dhe Veriore.

Jamnajat përshkuan distanca të mëdha dhe ka të ngjarë që të kenë zbutur asokohe një kafshë shtëpiake sikurse është kali. Kuajt u zbutën pak para viteve 3000 p.e.s. në Azinë Qendrore. Një nga kulturat më të hershme materiale, të lidhura me zbutjen e një lloji kali është kultura Botai.

Zbutja e kalit u dha siguri grupeve nomade dhe më shumë lëvizshmëri, për të përshkuar distanca më të mëdha. Është njëlloj si t’u ishte dhënë befas një makinë. Në studimin e migracioneve njerëzore, shkencëtarët nuk kanë gjetur vetëm dëshmi të migrimit njerëzor në studimet gjenomike, por edhe migrimin e sëmundjeve. Ata kanë gjurmuar përhapjen e viruseve në popullatën njerëzore. Një shembull është virusi i Hepatitit B (HBV).

Jamnaja dhe popullata të tjera të lashta euroaziatike, i kanë ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë jo vetëm historinë njerëzore, por edhe historinë e viruseve njerëzore. Ajo që pak dihet mbi jamnajat, është mësuar kryesisht nga arkeologjia. Termi Jamnaja vjen nga shprehja ruse “Jamnaja kultura’ që do të thotë “Kultura e Gropës”. Kjo është për shkak të llojeve të varreve që lanë pas.

Jamnajat ishin blegtorë nomadë, që fillimisht jetonin në stepat e Euroazisë, përpara se të zhvendosin në Perëndim. Supozohet se ata janë përgjegjës për konceptin e pronës që zotërohet nga familje të veçanta, dhe që u trashëgohet vetëm individëve brenda këtyre familjeve.

Para ardhjes së jamnajave, varret evropiane ishin të mëdha dhe të përbashkëta, dhe duket se i përkisnin më shumë sesa një familjeje. Ndërkohë, varret e tyre janë kryesisht individuale. Kjo mund të ketë qenë e lidhur me jetesën nomade. Me shumë lëvizshmëri, nuk u jepte shumë kohë për ndërtimin e komuniteteve të mëdha multi-familjare siç janë klanet.

Jamnaja ishte gjithashtu një nga kulturat e para të Bronzit në Evropë. Përdorimi prej tyre i bronzit dhe bakrit mund t’u ketë dhënë një avantazh ndaj banorëve të Neolitit, që në atë kohë ishin në Epokën e Gurit në Evropë. Madje, është sugjeruar që gratë evropiane mund t’i kenë konsideruar meshkujt jamnaja më të preferuar për martesë, për shkak të aftësive të tyre si luftëtarë dhe teknologjisë së tyre superiore.

Jamnajat që pushtuan Evropën, duket se kanë qenë kryesisht burra. Raporti meshkuj-femra mund të ketë qenë më i lartë se 14 me 1. Për këtë arsye, nuk është e paarsyeshme të sugjerohet që burrat Jamnaja që vinin në rajon ishin kryesisht luftëtarë.

Nuk ka gjasa që kjo të ishte pjesë e një pushtimi të organizuar. Gjithsesi, lëvizja në tokat e reja mund të ketë qenë e qëllimshme. Ka të ngjarë që arsyeja e këtij migrimi të ishte gjetja e kolonive, që ishin të ngjashme politikisht dhe kulturalisht me atdheun e tyre, për të zgjeruar kulturën e tyre dhe pronat e familjeve të tyre.

Pra, ishte i ngjashëm me synimin e kolonive greke dhe romake, që u vendosën në të gjithë Mesdheun. Është ndërkohë e mundur që ata të mund të kenë qenë grabitës që synonin të bëheshin të pasur nga plaçkitjet dhe të fitonin lavdi në betejë për të pasur një pozitë të lartë në komunitetet e tyre, diçka e ngjashme me Vikingët.

Jeta e jamnajave duket të ketë qenë një përzierje e pastoralizmit, bujqësisë, gjuetisë dhe grumbullimit, e cila është e ngjashme me mënyrën e jetesës së kulturave të mëvonshme evropiane, siç janë keltët dhe kulturat e hershme gjermane. Dhe në fakt, zbulimet e kohëve të fundit sugjerojnë se fiset gjermanike dhe keltët ishin pasardhësit e tyre.

Në shumë raste është e vështirë, në mos e pamundur, të përcaktohet gjuha e lidhur me një kulturë arkeologjike. Në rast se nuk ka të dhëna të shkruara që mund të përkthehen, gjuha e folur nga një shoqëri e lashtë, nuk lë gjurmë në vetvete në regjistrin arkeologjik.

Pavarësisht këtij problemi, ka mënyra të tjera për të përcaktuar gjuhën që ka shumë të ngjarë të jetë folur nga një kulturë arkeologjike. Përhapja e ndikimit gjenetik të komunitetit Jamnaja në Evropë dhe Azinë Qendrore, përputhet përafërsisht me përhapjen e gjuhëve indoevropiane. Origjina e gjuhëve indoevropiane, është një fushë ku gjallojnë shumë debate dhe kundërthënie. Dy pikëpamjet kryesore janë se folësit e gjuhëve proto-indoevropiane, paraardhësi hipotetik i gjuhëve indoevropiane, ishin ose fermerët e Anadollit që filluan të zhvendoseshin nga territori i tyre në vitin 7000 p.e.s. ose nomadët pastoralistë nga stepat e Euroazisë, që nisën të lëvizin jashtë atdheut të tyre rreth vitit 4000 p.e.s.

A ishin jamnajat indoevropianët e parë?

Folësit proto-indoevropianë ishin pjesë e asaj që arkeologët dhe gjuhëtarët e quajnë kultura proto-indoevropiane (PIE). Tani për tani, kultura PIE është kryesisht teorike dhe është krijuar duke nxjerrë përfundime nga ato që tregojnë proto-indoevropianët për shoqërinë e tyre. Për shembull, proto-indoevropiane ka fjalë për bagëti si dele, dhi dhe bagëti. Gjithashtu ka fjalë për grurë dhe elb. Kjo sugjeron që folësit e gjuhës ishin të njohur me këto kafshë dhe kultura, dhe mund t`i kenë ngritur ato. Nga ana tjetër, dihet se Jamnaja praktikonin bujqësinë. Ka të ngjarë që sapo të kenë mbërritur në Evropë, ata u vendosën në një vend të caktuar dhe filluan të praktikojnë edhe më shumë bujqësinë.

Rezultate befasuese të një studimi: Evropa moderne është formuar nga rusët e lashtë! Rezultate befasuese të një studimi: Evropa moderne është formuar nga rusët e lashtë!