LAJMI I FUNDIT:

Miratohet lista e Pakos Fiskale 2

Miratohet lista e Pakos Fiskale 2

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar listën e masave të Pakos Fiskale 2.0.

Ministri në largim i Financave, Avdullah Hoti, tha se kanë punuar për të fuqizuar sektorin privat ndërkohë kërkoi nga kabineti qeveritar që t’i miratojnë këto masa dhe ato një nga një të vijnë në Qeveri.

E zëvendëskryeministri në largim, Ramiz Kelmendi, tha se lista e pakos fiskale 2 është elementi i fundit që prodhimtarinë vendore e vendos të barabartë me prodhuesit e shteteve të regjionit.

Sipas Kelmendit, kjo është një e arritur historike e Qeverisë për Kosovën dhe prodhuesit vendor.

Ndërkaq ministri në largim i Bujqësisë, Memli Krasniqi, tha se meritojnë përgëzime të gjithë ata që kanë punuar në finalizimin e listës së masave fiskale.

“Janë vendime që do të vazhdojnë avancimin dhe lehtësimin e ambientit të të bërit biznes. Pikat që i kam ngritur si shqetësime për sektorin e bujqësisë që flet për lirimin nga tatimi doganor për produktet si lëndë e parë”, tha Krasniqi.

Ndërsa kryeministri në largim Isa Mustafa ka thënë se propozimet të merren parasysh dhe si të tilla të definohen.

Sipas tij, Qeveria e ardhshme ta ketë të qartë se çfarë është aprovuar rreth këtyre masave.

“Sa i përket lëndëve të para bujqësore dhe sa i përket akcizës për verën e prodhuar, të gjitha të definohen qartë”, tha Mustafa. /kp/Telegrafi/