Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, ka deklaruar se pakoja e masave që po prezantohet nga ministria nuk është “thjesht një projekt i radhës”, por një nga ndërhyrjet më të mëdha për largimin e deponive ilegale dhe pastrimin e zonave ndërurbane.

Po ashtu, u bë e ditur se janë ndarë 1 milion euro për luftimin e ndotjes së ambientit, duke theksuar se nuk do të ketë më heshtje ndaj personave që ndotin ambientin.


“Kjo pako nuk është thjesht një projekt i radhës, por është një nga ndërhyrjet më të mëdha për largimin e deponive ilegale dhe pastrimin e zonave ndërurbane”, ka thënë Pacolli-Dalipi.

Sipas saj, programi do të mbështetet në tri shtylla kryesore: pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, rritjen e kapaciteteve të inspektorëve dhe vendosjen e një sistemi të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve nga ndotësit.

“Ky program bazohet në këto shtylla: pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve të inspektorëve dhe vendosjen e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve nga ndotësit”, është shprehur ministrja.

Pacolli-Dalipi bëri të ditur se para pjesëmarrjes në aktivitetin ku i ka prezantuar këto masa, ka nxjerrë vendim për themelimin e një grupi operativ, i cili do të merret me emergjencën e mbeturinave.

“Para se të vija këtu, kam nxjerrë vendimin për themelimin e grupit operativ për emergjencën e mbeturinave, që është shtylla thelbësore e këtij programi”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/