LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Financave u bënë thirrje komunave që të rrisin mbledhjen e të hyrave vetanake

Ministria e Financave u bënë thirrje komunave që të rrisin mbledhjen e të hyrave vetanake

“Prioritet i Ministrisë së Financave në procesin e planifikimit të buxhetit për vitin 2020-2022 është stabiliteti makro-fiskal i vendit, dhe në këtë drejtim objektivat tona permanente konsistojnë në harmonizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”, theksoi ministri i Financave, Bedri Hamza gjatë takimit me përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit, Vitisë, Shtërpcës, Ranillugut, Kaçanikut, Hani i Elezit, Parteshit, Kllokotit, Ferizajit dhe Novobërdës.

Ky takim është mbajtur në kuadër të forumeve me autoritetet komunale lidhur me zhvillimin e procesit buxhetor komunal, të organizuara nga Ministria e Financave në bashkëpunim me OSBE-në, të cilat kanë filluar që nga data 12 korrik 2019 dhe janë zhvilluar me të gjitha komunat e Kosovës.


Ministri Hamza theksoi para të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që të informohen zyrtarët e komunave mbi procesin buxhetor komunal për vitin 2020-2022, si dhe për koordinimin e aktiviteteve mbi zhvillimin e planifikimit afatmesëm të buxhetit komunal të përcaktuar me kuadrin ligjor, me theks të veçantë do të diskutohet mbi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2020-2022, Qarkoren Buxhetore 2020/01, Strukturën e Shpenzimeve, si dhe Projektligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

“Korniza për buxhetin e vitit 2020 bazohet në KASH 2020-2022 që është aprovuar nga Qeveria e Kosovës bazuar në prioritetet afatmesme të Qeverisë dhe kornizën makro-fiskale për vitet 2020-2022.Gjatë zhvillimit të procesit buxhetor, janë marrë parasysh edhe zotimet tona në raport me institucionet financiare ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Qarkorja Buxhetore 2020/01 është hartuar në pajtim me obligimet nga marrëveshjet financiare ekzistuese dhe të atyre në negocim, dhe reflekton në drejtimin e politikave fiskale të përcaktuara në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, shtoi ministri Hamza.

Ai me këtë rast bëri të ditur se ndarjet e granteve qeveritare për komuna për vitin 2020 janë bërë sipas kritereve dhe formulave të përcaktuara në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal dhe ligjet e tjera relevante, si dhe duke u bazuar në projeksionet makro-fiskale dhe të dhënave nga ministritë e linjës.

Sipas tij, financimi komunal për vitin 2020 është aprovuar nga Komisioni i Granteve në shumën rreth 580 milionë euro.

Gjatë takimit, ministri Hamza gjithashtu ju bëri thirrje komunave që të rrisin inkasimin e të hyrat e tyre vetanake, ku përmes tyre mund të realizojnë projekte kapitale të cilat ngritin mirëqenien e qytetarëve të tyre. /Telegrafi/