Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se objekti i kompanisë “Elektrokosmet” është sulmuar me mjet shpërthyes në veri të Mitrovicës.

Ai ka akuzuar strukturat paralele serbe për këtë veprim, siç ka thënë bërë presion ndaj kompanisë.

“Ka pasur një shpërthim ku ka dëme materiale. Nuk ka të lënduar. Qëllimi është që të terrorizohen banorët atje por edhe të ngjallin pasiguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që organet tona të hetuesisë do të dalin me informata edhe më të detajuara por edhe me rezultate nga ato hetime”, deklaroi Sveçla.

“Ende nuk kemi informata të detajuara mbi rastin. Jemi duke hetuar. Kjo është në vazhdën e presioneve që strukturat paralele dhe Serbia i bëjnë Republikës së Kosovës. Ne nuk biem në këto presione. Jam i bindur dhe i sigurt që institucionet e sigurisë do ta hetojnë deri në detaje më të imëta dhe ata të cilët shkaktojnë pasiguri do të përgjigjen para drejtësisë… Po them prej strukturave paralele të Serbisë bazuar në përvojat që i kemi me ta”, u shpreh Sveçla, raporton kp.

Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:30 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës, konfirmuan për Telegrafin nga Policia e Kosovës.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për veriun ka njoftuar për Telegrafin se fillimisht është menduar për zjarrvënie, por më vonë është konfirmuar se ishte shpërthim.

Ai tha se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Si pasojë e këtij shpërthimi një trafo është dëmtuar krejtësisht dhe disa automjete të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti, ndërkaq rasti po hetohet.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së.

Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Me nënshkrimin e Udhërrëfyesit pritet që të nisë edhe faturimi dhe inkasimi për energjinë e shpenzuar edhe në veri. /Telegrafi/