Ministri izraelit, Ben-Gvir: Nuk do të ndalojmë shkatërrimin e shtëpive në jug të Libanit


Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka deklaruar se Izraeli nuk do të ndalojë operacionet në jug të Libanit.
Sipas tij, vendi duhet të vazhdojë kontrollin mbi territorin, edhe nëse kjo bie ndesh me qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Nuk mund të ndalojmë së shkatërruari shtëpi në jug të Libanit. Nuk mund të ndalemi, pikë”, ka thënë Ben-Gvir, duke shtuar se Izraeli nuk duhet të lejojë kthimin e banorëve të zonave jugore të Libanit.
Kontrolli mbi këtë territor duhet të vazhdojë, pavarësisht presioneve apo kundërshtimeve nga aleatët ndërkombëtarë, theksoi ministri.
“Ne jemi një shtet i pavarur”, ka deklaruar Ben-Gvir.
Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, ku përplasjet dhe operacionet ushtarake kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe zhvendosje të banorëve në zonat e prekura. /Telegrafi/




































