Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se, pas përfundimit të këtij procesi, forcat izraelite do të tërhiqen nga territori palestinez.


Trump e cilësoi marrëveshjen si një "hap historik" drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në faza të mirëpërcaktuara, shkruan reuters.

Sipas tij, pas përfundimit të çarmatimit, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, së bashku me një forcë të re policore palestineze, do të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Sipas planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze do t'ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi. Çarmatimi do të lidhet drejtpërdrejt me tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë mbeten skeptikë nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të lëvizjes palestineze kanë theksuar se nuk do të ndërmarrin hapa për çarmatimin derisa Izraeli të nisë tërheqjen nga Gaza dhe të respektojë detyrimet e marrëveshjes.

Trump falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për ndërmjetësimin e bisedimeve, duke thënë se marrëveshja përbën një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza. /Telegrafi/