Kriza diplomatike mes Izraelit dhe Britanisë së Madhe është përshkallëzuar ndjeshëm.

Izraeli ka njoftuar mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalemin Lindor, në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të reja të Londrës ndaj produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.


Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se vendimi është pjesë e një pakete masash hakmarrëse ndaj Britanisë, transmeton Telegrafi.

Konsullata britanike në Jerusalemin Lindor ka një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Londrës me Autoritetin Palestinez dhe në çështjet që lidhen me Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin.

Saar argumentoi se Jerusalemi i bashkuar është kryeqyteti i Izraelit dhe se çdo aktivitet diplomatik i huaj në këtë zonë duhet të zhvillohet përmes kanaleve të dakordësuara, pa cenuar sovranitetin izraelit.

Ministri e cilësoi vendimin britanik si një ndërhyrje të papranueshme në çështjet e brendshme të Izraelit dhe tha se kundërmasat ishin koordinuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Përveç mbylljes së konsullatës, Izraeli ka njoftuar se 12 shtetas britanikë, përfshirë zyrtarë të zgjedhur dhe figura politike, do të ndalohen të hyjnë në vend.

Në listë përfshihet edhe ish-lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, si dhe deputetë të tjerë britanikë. Saar i akuzoi ata për aktivitete që qeveria izraelite i konsideron anti-izraelite dhe antisemitike.

Masat izraelite shkojnë përtej përplasjes diplomatike. Saar tha se Britania do të përjashtohet nga misioni i koordinimit të udhëhequr nga SHBA-ja për Gazën, ndërsa përfaqësuesit britanikë do të largohen nga International Gaza Support Center në Kiryat Gat.

Gjithashtu, Izraeli do të ndërpresë aktivitetet britanike për trajnimin e forcave të sigurisë të Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.

Përplasja shpërtheu pasi Britania njoftoi ndalimin e tregtisë me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor dhe ndalimin e importit të mallrave të prodhuara atje.

Londra tha se masa synon të ushtrojë presion ndaj zgjerimit të vendbanimeve dhe dhunës së kolonëve palestinezë. Franca, Kanadaja dhe vende të tjera kanë ndërmarrë masa të ngjashme.

Qeveria britanike argumenton se këto masa nuk janë kundër popullit izraelit, por synojnë të kundërshtojnë zgjerimin e vendbanimeve dhe të ruajnë mundësinë për një zgjidhje me dy shtete. /Telegrafi/