LAJMI I FUNDIT:

Ministri i FSK-së priti ministrin e Punëve të Brendshme

Ministri i FSK-së priti ministrin e Punëve të Brendshme

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK-së), Rrustem Berisha, priti sot në vizitë zyrtare në MFSK, ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Ministri Berisha gjatë takimit e njoftoi ministrin Sefaj me arritjet e FSK-së, angazhimet aktuale të saj dhe në veçanti lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në FAK, i cili siç u shpreh ministri Berisha, synohet të arrihet mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe me konsensus të forcave politike, duke marrë edhe përkrahjen e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.


Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, veç tjerash, gjatë takimit shprehu interesim të veçantë rreth përfitimit të përvojave nga MFSK/FSK në fusha të përafërta, që mund të jenë me interes edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dy institucione të rëndësishme të sigurisë në vend.

Ministri Berisha u shpreh i gatshëm që MFSK të ndihmojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, aty ku është e nevojshme, duke ofruar përvojën dhe ndihmën e saj sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të dy ministrive përkatëse.

Vlen të përmendet se bashkëpunimi i FSK-së me Policinë e Kosovës është i vazhdueshëm dhe i shumanshëm, sidomos në ushtrime të përbashkëta fushore, ku realizohen situata dhe skenarë të ndryshëm, që kanë për qëllim ngritjen e shkallës së gatishmërisë në përballje me situata të mundshme emergjente.