Mikpritësit i japin një goditje të fortë Kupës së Botës


Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja kanë siguruar kualifikimin në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026, duke konfirmuar se avantazhi i të luajturit në shtëpi po ka peshë të madhe në këtë turne.
Tri vendet organizatore vazhdojnë rrugëtimin e tyre në kompeticion, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina, Ekuadori dhe Afrika e Jugut janë eliminuar. Meksika, SHBA-ja dhe Kanadaja tani synojnë të shkojnë edhe më larg.
Meksika, skuadra më bindëse e organizatorëve
Meksika po zhvillon paraqitjen më të mirë mes tri kombëtareve pritëse. Skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani dhe ende nuk ka pësuar gol.
Meksikanët e drejtuar nga Javier Aguirre kaluan fazën e grupeve me tri fitore, ndërsa në raundin e parë eliminator triumfuan 2-0 ndaj Ekuadorit, një ekip që më herët kishte befasuar Gjermaninë.
Julian Quiñones ka qenë një nga figurat kryesore të skuadrës, ndërsa Meksika po vlerësohet si një prej ekipeve më të balancuara të turneut. Në raundin e 16-të, ajo do të përballet me Anglinë në një duel shumë të fortë.

SHBA-ja përballë Belgjikës
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë treguar formë të mirë në këtë Kupë Bote. Humbja e vetme e tyre erdhi ndaj Turqisë në fazën e grupeve, por amerikanët gjithsesi e siguruan vendin e parë në grup.
Në ndeshjen e parë eliminatore, SHBA-ja e mposhti Bosnjën dhe Hercegovinën me rezultat 2-0.
Tani, skuadra amerikane e drejtuar nga Maurcio Pochetino do të përballet me Belgjikën, e cila siguroi kualifikimin pas një fitoreje dramatike ndaj Senegalit, falë një penalltie në minutat shtesë.

Kanadaja vazhdon ëndrrën
Kanadaja ka pasur rrugëtimin më të vështirë mes vendeve pritëse, por ka arritur të mbetet në garë. Kanadezët fituan bindshëm ndaj Katarit, barazuan me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe humbën ndaj Zvicrës në fazën e grupeve, rezultat që nuk ndikoi në kualifikimin e tyre.
Në raundin e parë eliminator, Kanadaja fitoi minimalisht ndaj Afrikës së Jugut. Në raundin e 16-të, ajo do të përballet me Marokun, një nga surprizat e mëdha të turneut, pasi marokenët eliminuan Holandën.

Të tre vendet pritëse janë ende në lojë dhe Kupa e Botës 2026 po dëshmon se mbështetja e publikut vendas mund të jetë një armë e fortë në rrugën drejt fazave më të avancuara. /Telegrafi/















































