Propozim-ligji për mbrojtje nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme nuk është hartuar ad hok, as mbi parimin e forcës, por në një proces gjithëpërfshirës, së bashku në konsultime me të gjitha palët e interesuara, thotë kryeministri Hristijan Mickoski.

Qëllimi i tij i vetëm është, siç thekson ai, që të ketë sa më pak njerëz që konsumojnë duhan. Ai thekson se nuk do të ketë trajtim preferencial në aspektin e zbatimit të tij, pavarësisht se në cilat pjesë të qytetit ose vendit ndodhen. Ai pret që zgjidhja ligjore të prezantohet në seancë të Qeverisë të martën dhe apelon që ajo të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur.


“Dua të jem i shkurtër dhe preciz kur bëhet fjalë për këtë zgjidhje ligjore, e cila, si shumë zgjidhje të tjera ligjore që mund të polarizojnë, nuk u miratua ad hok, as nuk u miratua mbi parimin e forcës, por në një proces gjithëpërfshirës, së bashku në konsultime me të gjithë palët e interesuara, me shoqatat, me prodhuesit, me distributorët, me hotelierët, me njerëzit që kanë restorantet e tyre, klubet e natës… Praktikisht, i gjithë ky proces ka krijuar një produkt me të cilin të gjithë duhet të jemi po aq të pakënaqur. Sepse kur punoni për një ligj si ky, nuk mund të dilni të gjithë po aq të kënaqur, sepse kjo nuk është e mundur, është alkimi, dhe ne nuk jemi alkimistë, as mrekullibërës. Ai që thotë se është mrekullibërës nuk po thotë të vërtetën. Pra, mendoj se në fund të gjithë këtij procesi, të gjithë kemi një pakënaqësi të vogël, të kufizuar, por të gjithë jemi të lumtur sepse arritëm një kompromis të përbashkët”, tha Mickoski, i cili, së bashku me Mministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, pati takim me shoqatat e esnafëve dhe palët e interesuara mbi Propozim-ligjin për mbrojtjen nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme.

Ai theksoi se mbledhja e sotme në Qeveri është gjithashtu rezultat i atij kompromisi të përbashkët që është përkthyer në ligj.

Sipas tij, nuk ka zgjidhje ideale ligjore, nuk ka asgjë që mund të jetë brilante dhe ideale, por si Qeveri ata mendojnë dhe vlerësojnë se kjo zgjidhje ligjore rregullon në masë të madhe marrëdhëniet që duhet të ndodhin në një shoqëri kur bëhet fjalë për prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të duhanit.

Tha se pret zbatim të tij dinjitoz, diçka që, siç theksoi, nuk ishte rasti me zgjidhjet e mëparshme ligjore nga kjo sferë.

“Duhet të pranoj se deri më tani ka pasur zgjidhje të caktuara ligjore që, për fat të keq, nuk u zbatuan siç prisnim të gjithë. Na besoni, inspektimet do të jenë rigoroze në të gjithë territorin e vendit. E përsëris këtë, në të gjithë territorin e vendit, nuk do të ketë rajone preferenciale, qytete, vendbanime e kështu me radhë, ku nuk do të respektohet ligji. Dhe për këtë ju garantoj se këtu nuk do të ketë falje”, tha Mickoski.

Pret që zbatimi dinjitoz i këtij ligji do të japë rezultate pozitive kur bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve.