Kompania teknologjike Meta ka shkurtuar rreth 8 mijë vende pune në një valë të gjerë pushimesh nga puna në nivel global, si pjesë e ristrukturimit të saj dhe fokusimit gjithnjë e më të madh në inteligjencën artificiale (AI).

Sipas raportimeve, kompania po anulon gjithashtu planet për punësimin e rreth 6 mijë personave të rinj, ndërsa mbi 7 mijë punonjës do të transferohen në role të lidhura me zhvillimin e AI-së.


Shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka thënë se inteligjenca artificiale është “teknologjia më e rëndësishme e kohës sonë” dhe se kompania duhet të bëhet më efikase për të përballuar investimet masive në këtë sektor.

Meta pritet të shpenzojë deri në 135 miliardë dollarë gjatë vitit 2026 për infrastrukturën dhe projektet e AI-së, pothuajse dyfish më shumë se një vit më parë.

Pushimet nga puna kanë shkaktuar reagime të forta te punonjësit, me shumë prej tyre që kanë shprehur pasiguri dhe shqetësime për të ardhmen e vendeve të punës në industrinë e teknologjisë. /Telegrafi/