LAJMI I FUNDIT:

Meta dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Meta dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok.

Meta, përmes një postimin në Facebook, u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që t’i  shmangin provokimet dhe përshkallëzimit të situatës.

“Dënoj me ashpërsi sulmin e dhunshëm dhe me armë ndaj autoriteteve policore të Kosovës, në Zubin Potok. Kam besim të plotë se institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës do t’i zbardhin shumë shpejt këto akte burracake dhe do të vënë para drejtësisë autorët. Bëj thirrje për shmangien e çdo provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve, që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar presidenti Meta, transmeton Telegrafi.

Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pikat kufitare në veri të vendit, që dyshohet se kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Fillimisht janë vënë iriqë metalikë në rrugën nga kanë kaluar, për të ua dëmtuar gomat e automjeteve. Në sulmin e dytë, zyrtarët policorë janë gjuajtur me gurë. Në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë, ndërsa në të katërtin janë përdorur granata dore dhe armë zjarri AK 47. /Telegrafi/