Përballja e djeshme ndaj Zvicrës ishte historike për Shqipërinë që debutoi në një garë madhore ndërkombëtar.

Nga përplasja mes dy vëllezërve Xhaka te fakti që gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare janë pjesë e Zvicrës, një sfidë që tërhoqi vëmendjen maksimale të të gjithë Evropës.

Gazeta “Panorama Sport” sjell gjithçka që nuk u pa në TV gjatë sfidës së djeshme. Nga debatet në fushë mes lojtarëve te nervozizmi i Taulant Xhakës pas zëvendësimit dhe polemikat e Xherdan Shaqirit.

Pas golit që pësoi Shqipëria, që për hir të së vërtetës ishte shumë i shpejtë dhe i papritur, mesfushori i Kombëtares, Taulant Xhaka, i bërtet kapitenit Lorik Cana, duke i thënë që të bërtasë më shumë. Xhaka i nervozuar nga goli i foli edhe portierit Etrit Berisha duke i thënë të çohet, pasi e kishte parë topin në rrjetë.

Tifozët e pakët zviceranë në krahasim me ata shqiptarë në sfidën e djeshme kishin idhull të tyrin Valon Behramin. Ata brohorisnin në kor vetëm emrin e tij, duke u identifikuar me Behramin. Por e kundërta ndodh me tifozët shqiptarë. Ata e urrejnë Behramin dhe ironizojnë në kor sa herë që mesfushori i Zvicrës prek topin.

Xhardan Shaqiri nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë për sa i përket lojës. Por kosovari është bërë protagonist në disa raste për sa i përket përplasjes me futbollistët shqiptarë. Në një moment kur një prej lojtarëve të Kombëtares ishte i dëmtuar në fushë, Xhaka ofendon Shaqirin që nuk e nxori topin jashtë për të respektuar “fair play”-n. Deri në fund të takimit, në një moment apo në një tjetër, thuajse të gjithë lojtarët kuqezi janë kapur me fjalë me Shaqirin.

Trajneri Gianni De Biasi dhe zëvendësi i tij Tramexani, thuajse të gjitha udhëzimet për ekipin gjatë pjesës së parë ua kanë dhënë Taulant Xhakës dhe Amir Abrashit.

Taulant Xhaka u zëvendësua pak pasi kishte nisur pjesa e dytë. Por mesfushori i Shqipërisë në pamje të parë u duk se nuk e ka pritur aspak mirë këtë ndërrim dhe ai ka goditur pankinën nga nervozizmi. Megjithatë, ai ishte dëmtuar pak në fund të pjesës së parë, pasi po ecte me vështirësi. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja e zëvendësimit, por Xhaka ka qenë shumë i nervozuar.

Në një moment gjatë pjesës së dytë, Abrashi i ulërin fort Lenjanit që donte të driblonte Behramin, po ky i fundit i mori topin. Nëse do ta kishte më afër, Abrashi mund të reagonte më ashpër pasi Lenjani nuk i pasoi topin.