Meriton Korenica ka tri oferta - gjiganti rumun e pranon publikisht sa ka ofruar

Meriton Korenica mund të ndryshojë skuadër gjatë këtij afati kalimtar, pasi për shërbimet e tij ka shfaqur interesim të konkretizuar një prej klubeve më të mëdha të Rumanisë, FCSB.
Pronari i FCSB-së, Gigi Becali, dhe ai i CFR Clujit, Ioan Varga, janë futur në negociata për transferimin e futbollistit kosovar, me afatin kalimtar në Rumani që përfundon më 7 shtator.
Sipas “Gazeta Sporturilor”, FCSB tashmë ka bërë një ofertë zyrtare prej 500 mijë eurosh për Korenicën. Interesimin për 29-vjeçarin e ka konfirmuar edhe Becali, i cili ka bërë të ditur shumën e ofruar.

“Kam bërë ofertë prej 500 mijë eurosh dhe kaq”, ka deklaruar Becali.
Megjithatë, kjo shumë duket larg kërkesave të Clujit. Ioan Varga ka bërë të ditur se për Korenicën kanë ardhur edhe oferta të tjera, përfshirë një propozim nga Shtetet e Bashkuara prej 800 mijë eurosh, si dhe një ofertë prej 700 mijë eurosh nga Universitatea Craiova.
Pavarësisht interesimit nga disa klube, Varga nuk dëshiron ta lejojë largimin e Korenicës për një shumë të ulët. Presidenti i Clujit kërkon të paktën 1.5 milionë euro për kartonin e futbollistit kosovar.
Korenica është pjesë e CFR Clujit që nga viti 2024, kur iu bashkua klubit rumun nga Manisa për shumën e 400 mijë eurove.

Tashmë mbetet të shihet nëse FCSB-ja do ta rrisë ofertën për ta bindur Clujin që ta lërë të lirë Korenicën, ndërsa afati kalimtar veror në Rumani ende nuk është mbyllur. /Telegrafi/













































