LAJMI I FUNDIT:

Mediat në Beograd: Lista Serbe kërkon garancë për kërkesat e saj, formimi i Qeverisë të hënën

Mediat në Beograd: Lista Serbe kërkon garancë për kërkesat e saj, formimi i Qeverisë të hënën

Serbët do të hyjnë në Qeverinë e re të Kosovës, pasi të marrin garancë jo vetëm për tri poste ministrore, por edhe për disa çështje të rëndësishme, siç janë: formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, mbrojtjen e pronës dhe kthimin e sigurt të serbëve.

Pasi që mediat në Kosovë të mërkurën në mbrëmje raportuan se Lista Serbe, pas negociatave disa orëshe me “koalicionin e luftës” dhe me Behgjet Pacollin, ka fituar Ministrinë e Pushtetit Lokal, Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Bujqësisë, sipas tyre intrigat rreth formimit të qeverisë duhej të kishin përfunduar, shkruan Gazeta “Blic” e Beogradit.

Mirëpo, edhe pse  Kuvendi i Kosovës u konstituua dhe Slavko Simiq u zgjodh nënkryetar i Parlamentit, të cilin do ta udhëheq Kadri Veseli, Lista Serbe nuk dëshiron të flasë nëse do ta përkrahë zgjedhjen e Ramush Haradinajt për Kryeministër.

Sipas burimeve të gazetës “Blic” të afërta me zyrtarët e lartë të Qeverisë së Serbisë, përkrahjen e Haradinajt për nuk do të mjaftojnë vetëm tri poste ministrore për Listën Serbe: përkrahja e serbëve kushtëzohet në kërkesa shumë më të detajuara, transmeton Telegrafi.

“Lista Serbe është faktor kyç që do të mundësojë formimin e Qeverisë Haradinaj dhe serbët këtë rast nuk do ta lëshojnë. Edhe pse shqiptarët do të kenë menduar se Ministria e Bujqësisë – e cila fillimisht i ishte premtuar Pacollit – do të kënaqte oreksin e tyre, kjo nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Ajo që bashkësia serbe kërkon është të kuptuarit më thellë të problemit të serbëve dhe përkrahje më e madhe nga institucionet në Prishtinë. Kërkesat e para do të jenë: formimi i menjëhershëm i Asociacionit të Komunave Serbe, mbrojtja e pasurisë serbe në tërë Kosovën, jo vetëm në veri, privatizimi i sinqertë i ndërmarrjeve dhe garantimi i kthimit të sigurt të popullatës (serbe).  Pikërisht me këto çështje do të merreshin ministritë të cilat u janë besuar serbëve, por vendimet që ati i marrin duhet të përkrahen edhe nga kreu”, thotë bashkëbiseduesi i gazetës.

Këto do të jenë temat qendrore në konsultimet e paralajmëruara me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilat në fakt me të madhe po ndodhin, duke pasur parasysh se komunikimi është i çdoditshëm.

Megjithatë, sado shpejt të përparojnë ato, konsultimet me siguri nuk do të përfundojnë sot, prandaj vështirë është të pritet formimi i Qeverisë së Kosovës para të hënës. /Telegrafi/