Me vetiniciativë të banorëve të Pejës, Plavës dhe Gucisë hapet rruga në Çakorr për protestën e 25 prillit

Banorët e zonave të Pejës, Plavës dhe Gucisë kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste më 25 prill, me kërkesë kryesore hapjen e pikës kufitare në Çakorr dhe funksionalizimin e rrugës në këtë zonë.
Protesta pritet të nisë në orën 12:00, nën sloganin “Mjaft me izolim” dhe do të mbahet në zonën Kotlovi – Kuçishtë, në malin e Çakorrit.
Organizatorët e kësaj nisme janë Muhamet Nikqi, Mehdi Berisha dhe Nedzat Cecunjanin, ndërsa sipas tyre pritet pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve nga të dyja anët e kufirit, raporton Telegrafi.
Njëri nga iniciatorët, Muhamet Nikqi, ka bërë të ditur se përgatitjet për protestën tashmë kanë nisur, përfshirë edhe hapjen e rrugëve në zonën malore, të cilat deri vonë kanë qenë të mbuluara nga bora.
Sipas tij, makineritë e rënda kanë filluar pastrimin e rrugës, me qëllim që të mundësohet qarkullimi i lirë i banorëve nga Plava dhe Gucia deri në vendin ku do të zhvillohet protesta.
Ndërkohë, Telegrafi ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.
Nga ana tjetër, banorë të zonës së Pejës kanë theksuar se hapja e kësaj rruge dhe e pikës kufitare në Çakorr do të ndikonte në shkurtimin e ndjeshëm të distancës me Malin e Zi, si dhe do të kontribuonte në zhvillimin e turizmit në të dyja anët e kufirit. /Telegrafi/






















































