Mark Ruffalo ka kritikuar ashpër Paramount dhe familjen Ellison lidhur me bashkimin e propozuar me Warner Bros, duke e akuzuar kompaninë se po mbështet disa nga forcat më shkatërruese dhe çnjerëzore në botë.

Në një postim në Instagram, aktori 58-vjeçar e lidhi marrëveshjen prej rreth 110 miliardë dollarësh me shqetësimet e tij për ndikimin e miliarderëve në industrinë e medias.


Ai përdori gjithashtu termat “gjenocid” dhe “aparteid”, duke nxitur një reagim të menjëhershëm nga Paramount, shkruan DailyMail.

Kompania e David Ellison e cilësoi gjuhën e përdorur nga Ruffalo si të papërshtatshme dhe paralajmëroi se përdorimi i këtyre termave në një mosmarrëveshje biznesi zhvlerëson vuajtjet shumë reale që ato përshkruajnë.

Paramount tha gjithashtu se ishte gjithmonë e shqetësuar kur, sipas saj, përdoren trope antisemite në kontekstin e një konflikti korporativ.

Paramount theksoi se nuk toleron paragjykime të asnjë lloji dhe kërkoi që debati rreth bashkimit të zhvillohet mbi bazën e meritave ligjore dhe jo të akuzave personale. “Më pak retorikë, më shumë mirëkuptim”, ishte mesazhi përmbyllës i kompanisë.

Ruffalo, ndërkohë, e ka vazhduar kritikën ndaj marrëveshjes, duke e përshkruar Larry Ellison si një oligark klasik dhe duke argumentuar se bashkimi do të çojë në përqendrim edhe më të madh të pasurisë dhe pushtetit në industrinë e medias. /Telegrafi/