Më në fund! Arsenali shpallet kampion i Anglisë pas 22 vitesh

Arsenali është kampion i Ligës Premier për herë të parë që nga skuadra e Arsene Wengerit në vitin 2004, pasi Manchester City barazoi 1-1 në fushën e Bournemouth.
Ky është kulmi i një arritjeje të jashtëzakonshme për Mikel Artetën në punën e tij të parë si trajner. Spanjolli e ka shndërruar Arsenalin në një skuadër pretendente që kur mori drejtimin nga Unai Emery në dhjetor të vitit 2019.
Ekipi i tij i mbylli tri sezonet e fundit si nënkampion dhe e udhëhoqi garën për pjesën më të madhe të këtij edicioni, para se City ta ngushtonte epërsinë e Arsenalit prej nëntë pikësh, pasi e mposhti në “Etihad” në prill.
Pavarësisht “plagëve” të viteve të kaluara, skuadra e Artetës doli më e forta nga ajo që praktikisht u kthye në një “playoff” me pesë ndeshje mes dy kandidatëve për titull. City “u lëkund” i pari kur barazoi ndaj Evertonit, ndërsa Arsenali regjistroi katër fitore radhazi pa pësuar gol, duke kulmuar me fitoren 1-0 ndaj Burnleyt të hënën.
The Arsenal. Your Premier League champions. pic.twitter.com/gNnfzesrhP
— Arsenal (@Arsenal) May 19, 2026
Arsenali do ta marrë trofeun e Ligës Premier në “Selhurst Park” të dielën, pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Crystal Palace.
Arteta do të bëhet trajneri me shërbimin më të gjatë në katër divizionet kryesore të futbollit anglez, sapo të konfirmohet largimi i Guardiolës nga City pas 10 vitesh.
Ai ka gjithashtu mundësinë ta ndjekë shembullin e mentorit të tij duke fituar Ligën e Kampionëve, kur Arsenali të përballet me Paris Saint-Germain më 30 maj.
Vetëm në pesë raste një ekip anglez e ka fituar kampionatin dhe Kupën e Evropës në të njëjtin sezon, me Cityn që ishte i fundit që e realizoi këtë arritje në vitin 2023./Telegrafi/


















































