LAJMI I FUNDIT:

Me dy shtetësi

Me dy shtetësi
Ilustrim

Kohët e fundit po flitet së tepërmi për problemin e dyshtetësisë. Nacionaliteti i dyfishtë, rasti më i zakonshëm i “shumëkombësisë”, është të kesh dy kombësi njëkohësisht. Shumica e shteteve të botës e njohin ose e tolerojnë atë, veçanërisht në Evropë. Disa shtete e ndalojnë shprehimisht: ose shtetasit e tyre që fitojnë një kombësi tjetër privohen automatikisht nga kombësia e tyre e mëparshme (ky ishte rasti i belgëve që fituan një kombësi tjetër – përveç kombësisë izraelite – nga 1984 në 2007), ose ata kërkojnë prova se personi që fiton shtetësinë e tij, ka hequr dorë nga kombësia e mëparshme. Të tjerët thjesht nuk e njohin dyshtetësinë ose e injorojnë atë, kur personi është në territorin e tyre.

Më në fund ka shtete të tjera, që e lejojnë atë plotësisht. Disa e ndalojnë atë vetëm për ushtrimin e mandateve të caktuara politike ose funksioneve publike, siç është rasti i Algjerisë. Në Francë, nëse dyshtetësia nuk është e regjistruar në ligjin francez, ajo është e rrënjosur në një traditë të gjatë, siç u shpreh në maj 2011 për AFP-në historiani Patrick Weil: “Franca e ka pranuar gjithmonë dyshtetësinë, si Mbretëria e Bashkuar. Pas Luftës së Parë Botërore, gjatë riintegrimit të Alsace-Moselles në Republikën franceze, disa gjermanë të vendosur në rajon donin të bëheshin francezë, ndërsa gjithashtu ruanin kombësinë e tyre të origjinës. Kjo nuk paraqiste asnjë problem”.


Sipas profesorit Paul Lagarde, specialist i kombësisë dhe autor i “Nacionalitetit francez”, “ka fëmijë që janë me dyshtetësi me prejardhje, është një supozim jashtëzakonisht i zakonshëm, ekziston një lidhje e dyfishtë e cila është krejtësisht e ligjshme… Unë nuk shoh pse duhet t’i detyrojmë ata të zgjedhin dhe pse individi këtu do të zëvendësojë një faktor lidhës, i cili është i dyfishtë në natyrë dhe i cili e lidh këtë fëmijë me dy vende”. Në dallim nga emigrantët me origjinë italiane ose spanjolle, ata nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, shumica e kanë dyshtetësinë kur bëhen francezë.

Një qytetar me dy shtetësi mban dy pasaporta, të cilat mund të lehtësojnë kalimin kufitar ose marrjen e vizave. Ndonjëherë mund të votojë në zgjedhjet kombëtare të të dy vendeve (nëse njëra prej vendeve nuk kërkon që votuesit të jenë rezidentë të përhershëm). Kjo shpjegon pse dyshtetësia nganjëherë paraqitet si privilegj mbi mononacionet dhe si një shkelje e parimit të të drejtave të barabarta. Personi që ka dy shtetësi duhet të respektojë detyrimet e tij në secilin vend. Për shembull, në Belgjikë, votimi është i detyrueshëm; qytetari amerikan që banon jashtë vendit vazhdon të paguajë taksat në Shtetet e Bashkuara. Kombësia në këtë mënyrë krijon kufizime që nuk janë gjithmonë të pajtueshme (shërbimi ushtarak etj.).

Më 6 maj 1963, Këshilli i Evropës nxori Konventën e Strasburgut, objektivat e së cilës u sqaruan në paragrafët parafillorë: “Duke marrë parasysh se qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një bashkim më të ngushtë midis anëtarëve të tij; duke marrë parasysh që kombinimi i kombësive është një burim vështirësish dhe se veprimi i përbashkët me qëllim të zvogëlimit sa më shumë të jetë e mundur, në marrëdhëniet midis shteteve anëtare, raste të kombësisë së shumëfishtë, përmbush qëllimin e ndjekur nga Këshilli i Evropës; duke konsideruar se është e dëshirueshme që një individ që posedon kombësinë e dy ose më shumë palëve kontraktuese, duhet të përmbushë detyrimet e tij ushtarake vetëm në lidhje me njërën nga këto palë”.

Pas kësaj Konvente, çdo blerje e një kombësie të re (me natyralizim ose mjete të tjera) të një prej shteteve kontraktuese nga një shtetas i një Shteti tjetër kontraktues, duhet, në parim, me përjashtime, të çojë në braktisjen automatike të kombësisë së origjinës.

Megjithatë, një numër i Shteteve të Konventës hynë në një marrëveshje interpretimi në 2007, duke i lejuar ata të “denoncojnë Kapitullin e parë të Konventës në çdo kohë”. Kjo është ajo që bëri Belgjika në 2007 dhe Franca në 2009: prandaj, që nga 5 mars 2009, marrja vullnetare e kombësisë së një prej shteteve palë në këtë Konventë nga një shtetas francez nuk nënkupton më humbje të kombësisë franceze. Shtetet që kanë nënshkruar këtë marrëveshje, duke hapur kështu mundësi më të mëdha të dyshtetësisë nëse vendosin të denoncojnë këtë pjesë të Konventës janë: Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Zvicra pret në tokën e saj prej 41,293 kilometra katrorë dhe me banorë rreth tetë milionë vetë, me mbi 200,000 shqiptarë, si dhe një numër të konsiderueshëm italianësh, gjermanësh, portugezësh, francezësh, spanjollësh, amerikanësh, afrikanësh e popuj të vendeve të tjerë. Zvicra është konfederatë dhe në këtë vend të vogël, që nuk është as sa dyfishi i Shqipërisë, punojnë e jetojnë në harmoni banorë që flasin katër gjuhë kombëtare: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe romanshë. Autoritetet e Gjenevës para disa vitesh pranuan bustin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu, që është ngritur buzë liqenit Leman, pranë Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë. Italianët në Romë shohin çdo ditë monumentin e Heroit tonë Kombëtar te “Piaca di Skanderbeg”.

Janë bërë përpjekje për të ngritur bustin e Skënderbeut edhe në vende të tjera. Dhe ndoshta, një ditë, ne apo brezat tanë të ardhshëm do ta shohin këtë ëndërr të realizuar. Ky simbol i atdhedashurisë mendoj se duhet të shtrihet edhe te çështja e dyshtetësisë. Po shprehem më qartë: disa shtete, në bazë të legjislacionit të tyre, i detyrojnë shqiptarët, por edhe të huajt, të braktisin kombësitë e vendeve nga kanë ardhur, nëse duan të marrin atë të shtetit ku jetojnë. Ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe kudo që jemi, në çdo shtet të botës, kemi bërë emër për korrektësinë, jemi punëdashës, familjarë, ruajmë zakonet tona, kulturën tonë dhe të tjerët na respektojnë. Paçka se ndonjë, për hesapet e veta, ngre anatema kundër shqiptarëve se janë njerëz që merren me shitjen e drogës, me prostitucion e nuk e di çfarë. Një pakicë e bashkatdhetarëve tanë, për arsye ekonomike, mund të bien në prerin e krimit, shtyrë edhe nga ai dikush që nuk na e do të mirën. Por ne jemi krenarë që jemi shqiptarë dhe këtë e tregojnë edhe kolokiume si ai për Kushtetutën tonë, në Universitetin e Gjenevës, apo edhe organizimi i ekspozitave dhe veprimtarive të ndryshme për Shqipërinë, organizuar në Pallatin e Kombeve e kudo në botë, ku marrin pjesë me kënaqësi personalitete të shquara të politikës, të shkencës, të ekonomisë, kulturës dhe bashkatdhetarët tanë. Unë nuk mund t’i harroj kurrë ato mbrëmjet apo veprimtaritë me shqiptarët në Nju Jork vite më parë, apo edhe tani, ku marrin pjesë edhe përfaqësues nga brezi i ri nga Kosova e viset, Shqipëria.

Pra, e përsëris, jemi krenarë që jemi bij të tokës mëmë: Shqipëri. Jemi krenarë siç janë gjermanët e vendosur prej dhjetëravjeçarësh në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë lagjen e tyre “gjermane”, gazetat e tyre, ruajnë kombësinë e tyre apo edhe grekët me lagjen e tyre në Florida. Kështu ka ndodhur dhe me popuj e breza të tërë që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për një arsye ose një tjetër. Ky është një fenomen jo vetëm i vendeve të varfra dhe në tranzicion, por edhe i shteteve të pasura. Le të sjellim përsëri shembullin pozitiv të Zvicrës. Zvicra, një vend i vogël, në sajë të legjislacionit zviceran, edhe nëse ke marrë nënshtetësinë zvicerane, mund ta mbash edhe atë italiane, gjermane, spanjolle, portugeze, somaliane, turke, srilankeze. Pra, mund ta ruash dyshtetësinë. Pra, një vend që ka katër gjuhë kombëtare, respekton gjithashtu qytetarët e vendeve të tjera që kanë zgjedhur si vend të dytë të tyre Zvicrën. Po të shohësh termin “nacionalitet” në fjalor thuhet: “përkatësi juridike e një personi në popullsinë e një shteti: të kesh nacionalitetin e dyfishtë”. Grupim individësh të së njëjtës origjinë ose që kanë të njëjtën histori dhe tradita të përbashkëta, por që nuk përbën shtet”.

Prandaj, sugjerova dhe përmenda se mund të japim ndihmesën tonë për botimin e temave të kolokiumit për Kushtetutën apo edhe për tema të tjera me interes. Me ndihmesën e profesorëve zviceranë, italianë dhe shqiptarë, por edhe të studentëve, ne mund të bëjmë shumë për mbrojtjen e shtetësisë shqiptare. Unë nuk mund të kem të njëjtin mendim me atë studenten shqiptare që u shpreh në konfidencë se kishte qenë për disa vite në një shtet të huaj dhe atje vetë shqiptarët kishin pranuar shtetësinë e atij vendi. Ajo mund të pohonte më mirë se shqiptarët si popuj të vendeve të tjerë, për një arsye ose një tjetër, kishin qenë të detyruar të merrnin shtetësinë e vendit ku ishin vendosur. Nuk kishin zgjedhje tjetër, pasi ai vend nuk u jep mundësinë si Zvicra e vende të tjera të kenë dyshtetësinë.

Por kurrë ndonjë shqiptar i ndershëm nuk do të pranonte me dëshirë ndryshimin e emrit dhe përkatësinë si shqiptar, një komb i lashtë, një komb që ka ruajtur të pastër gjuhën, zakonet dhe gjithçka të mirë për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm, që një ditë do të kthehen në tokën e tyre të bukur, buzë detit, në fushat e Myzeqesë apo Devollit, në Voskopojë apo Fier, në malet e lartë e të bukur në Valbonë, në Prizren ose Gjakovë, në Tetovë apo Shkup e gjetiu. Fatmirësisht, ka në botë vende me demokraci shembullore dhe një legjislacion të përshtatshëm dhe bashkëkohor si Zvicra që respekton prejardhjen dhe rrënjët e banorëve të huaj që kanë zgjedhur të banojnë qoftë edhe përkohësisht apo përherë tokën zvicerane, me njerëz të mirë, punëtorë dhe të lumtur.

PS: Më bëhet qejfi që shtypi shqiptar ka botuar para disa kohësh një artikull me titull: “Dyshtetësi edhe për emigrantët”. Ndër të tjera, në artikull theksohet: “Tema e dyshtetësive erdhi përsëri në skenën politike dhe mediatike greke, por këtë radhë jo vetëm për nënshtetasit shqiptarë me origjinë greke, por edhe për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi”. Sipas gazetës, ministri i Jashtëm grek i asaj periudhe, Jorgos Papandreu, e karakterizoi logjike për një vend demokratik, siç është Greqia, edhe të drejtën e akordimit të dyshtetësisë emigrantëve të cilët jetojnë për një kohë të gjatë në Greqi. Pra, kjo temë dhe ky problem tepër aktual dhe serioz për gjithë migrantët tanë në botë, shpresoj që një ditë të afërt të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme, duke pasur edhe mbështetjen e profesorëve tanë të së drejtës ndërkombëtare për të gjetur argumentet e duhura, jashtë pasioneve dhe presioneve politike apo maturisë së tepërt për të mos prishur qefin me një shtet tjetër apo grupim njerëzish.