Komuna e Drenasit ka njoftuar se Drejtoria e Inspekcionit ka mbyllur degët e Postës së Kosovës në Drenas dhe Komoran, pasi që nuk kanë respektuar masat e përcaktuara nga Qeveria dhe rekomandimet e IKSHPK-së.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se Drejtoria e Inspekconit po vazhdon inspektimin e të gjitha subjekteve në Drenas.

“Më këtë rast, gjatë inspektimit të djeshëm (26.03.2020) është konstatuar se njësitë e Postës së Kosovës, degët në Drenas e Komoran, nuk i kanë zbatuar masat e përcaktuara në Vendim të Qeverisë dhe rekomandimet e IKPSH-së, pasi që nuk kanë marr masat e mjaftueshme për të dezinfektuar objektin, ajrosjen e objektit dhe masat tjera mbrojtëse për punëtorët dhe klientët, dhe i është dhënë afat qe brenda 24 orëve marrin masat e urdhëruara nga inspektorët komunalë.

Sot (27.03.2020) pas riinspektimit, shihet se në këto objekte nuk janë marr masat e urdhëruara dhe duke qenë në dijeni se këto pika shitëse, ka fluks të madh të qytetarëve për të kryer shërbime, inspektorët janë detyruar që të mbyllin këto objekte për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim bëhet e ditur se objektet do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura deri në zbatimin e masave të parapara nga IKPSHK dhe MSH.

“Inspektorët komunalë janë në kujdestari prej orës 08:00 deri në ora 24:00 dhe menaxheret e këtyre pikave, janë njoftuar qe kurdo që bëhet dezinfektimi dhe masat tjera mbrojtëse do të bëhet hapja e njësive postare dhe do të largohet shenja e ndalesës së punës”, përfundon njoftimi./Telegrafi/