eksperti-banner

Mbrëmjen e së shtunës, në Grand Casino Basel u zhvillua eventi i boksit “Sparkling Boxing”, i organizuar nga Arnold Gjergjaj dhe Arnold BoxFit Pratteln, së bashku me Avdyl Salihun, i cili gjithashtu ka kompaninë e tij të boksit “ArenaRing Management Promotion”.

Programi përfshiu tri duele amatore dhe tri profesionale, të cilat u ndoqën nga një publik i zjarrtë dhe dashamirës i sportit.


Në kategorinë amatore, Fabio Islamaj i Arnold BoxFit zhvilloi një duel të fortë dhe shumë të balancuar kundër Erjon Nikoliqit të KSBB Boxing. Të dy boksierët treguan cilësi të lartë dhe përkushtim maksimal gjatë gjithë përballjes, ndërsa në fund fitorja iu takoi Nikoliqit me vendim të ngushtë të gjyqtarëve.

Një nga momentet kulmore të mbrëmjes erdhi nga Nate Leuenberger i Arnold BoxFit. Me lëvizje të shkëlqyera, inteligjencë taktike dhe kontroll të plotë në ring, ai dominoi përballjen ndaj Luka Vujcic të Boxeo Gym, duke fituar me nokaut që në raundin e parë.

Paraqitje mbresëlënëse realizoi edhe Khodadad Hassani i KSBB Boxing. Përballë një kundërshtari të fortë dhe luftarak nga Gjermania, ai boksoi me përqendrim dhe teknikë të lartë, duke merituar plotësisht fitoren.

Pas pushimit, radha ishte e dueleve profesionale.

Ali Hetemi triumfoi ndaj venezuelianit Robinson Garcia me nokaut, duke treguar fuqinë e tij të madhe goditëse. Pavarësisht humbjes, kundërshtari i tij demonstroi guxim dhe shpirt të lartë luftarak.

Mbrëmjen e suksesshme e vazhdoi edhe Edmon Zefi. Pas një përballjeje intensive, rivali i tij Yeinson Gonzalez u detyrua të tërhiqej për shkak të një lëndimi në dorë, duke i dhënë fitoren Zefit.

Në meçin kryesor të mbrëmjes, Celso “El Fenomeno” Neves u përball me hungarezin me përvojë Pal Olah. Neves kishte nevojë vetëm për një raund për ta mbyllur sfidën me nokaut, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e tij të madh dhe ambiciet për të synuar duele ndërkombëtare për tituj në të ardhmen.

Arnold BoxFit në bashkëpunim me Salihun falënderuan të gjithë sponsorët, mbështetësit dhe vullnetarët që kontribuuan në realizimin e eventit. Falënderime të veçanta iu drejtuan Beat Rucklit, Arnold Gjergjajt dhe Leart Sulejmanit, i cili po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një pjesë e rëndësishme e stafit që kujdeset për sportistët dhe ekipet.

Mirënjohje u shprehën gjithashtu për të gjithë ekipin e Arnold BoxFit, zyrtarët e SwissBoxing dhe Grand Casino Basel për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mikpritjen gjatë organizimit të kësaj mbrëmjeje sportive.

telegrafi sport app