Neda Balluku ka bërë një rrëfim të sinqertë në Instagram, ku ka folur hapur për martesën, jetën familjare dhe imazhin që kishte krijuar ndër vite në publik.

Ish-opinionistja e Big Brother VIP Albania 4 pranon se për një kohë të gjatë ka përcjellë një perceptim për marrëdhënien e saj që nuk përputhej me realitetin.


Në postimin e gjatë, Neda kërkon ndjesë për këtë dhe shpjegon se pas shumë vitesh reflektimi ka kuptuar se ajo që u tregonte të tjerëve ishte edhe një dëshirë e saj për të besuar se familja që kishte ëndërruar ishte ende ashtu siç e kishte imagjinuar.

Më poshtë, postimi i plotë i Nedës:

"Për dhjetë vite iu dhashë e tëra, e plota dhe 100% krijimit të familjes sime.

Dhe prej gati pesë vitesh, njerëzit si ju më hapën sërish derën. Më dhanë hapësirë. Dhe më mirëpritën. Dhe unë çfarë ndiej se bëra?

Mbase gënjeva.

Gënjeshtrat e mia nuk ishin të errëta, por nuk ishin as të bardha.

Nuk ishin të qëllimshme, edhe pse për mua të nevojshme. Nuk ishin për një arsye, por edhe jo pa shkak.

Prej vitesh, edhe pse në një formë që më shumë lija të kuptohej sesa tregoja vërtet, krijova një perceptim të gabuar publik për sesi ishte jeta ime, marrëdhënia ime dhe familja ime.

Pas shumë vitesh pune me veten dhe reflektim të pambaramtë, kuptova se imazhi publik që krijoja ishte veçse ëndrra dhe iluzioni im.

Dhe nevoja ime për të besuar se ia kisha dalë të krijoja diçka të bukur.

Ajo që do të kisha dashur jeta ime të ishte dhe mbase, nëse do e trumbetoja apo thjesht lija të kuptohej, do të ndodhte.

Ose thjesht do e besoja dhe vetë.Ndjej fort, tëpërmi, të kërkoj ndjesë.

Komunikimi me njerëzit duhet të jetë i sinqertë, i pastër, i vërtetë. Sidomos për dikë si unë që dua t'i përkushtoj jetën komunikimit publik.

Cilado qoftë forma.Ndaj unë më mirë se kushdo e di që njerëzit i duam kur gjejmë tek ta diçka nga vetja.

Kur na bëjnë të ndihemi sikur nuk jemi vetëm dhe të vetëm në jetën tonë.

Dhe ndonëse kam qenë e ndershme për të treguar se cila isha, nuk bëra dot të njëjtën gjë për jetën në të cilën ndodhesha.

Ende sot besoj me gjithë zemër tek forca e familjes së ndershme dhe të shëndetshme.

Tek partneriteti i sinqertë, i thellë, i prekshëm mes dy njerëzve që zgjedhin njëri-tjetrin çdo ditë sepse duhen dhe respektohen.

Zemra ime lëngon për këtë.

Por nuk mundem të mos kërkoj ndjesë që këtë e transmetova për vite me radhë, pa qenë aspak e vërtetë.

Po bëhet gati viti që dëgjoj një version të mbrapshtë për realitetin tim të ri.

Dhe askujt s’i vë faj. Si mund të dinë të huajt të vërtetat e mia kur mua m’u deshën vite t’i pranoja dhe kuptoja vetë?!

Faleminderit për të gjitha. Që ende më ndaloni në rrugë. Që ende më shkruani. Dhe ju dua shumë gjithmonë". /Telegrafi/