Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përfunduar intervistimin në stacionin policor në Skenderaj lidhur me rrahjen fizike të zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, që ndodhi dje në një kafene të qytetit.

Intervistimi ka zgjatur më pak se një orë.


Pas daljes nga stacioni policor, ku u prit nga qytetarë të shumtë, Lushtaku deklaroi se zhvillimet e dy ditëve të fundit janë “politike”, duke pretenduar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po synon të viktimizohet në prag të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit.

‘’Unë mendoj që krejt kjo që ka ndodh është politikë. Albin Kurti don që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normal unë nuk u dashtë me u intervistu fare, unë e thash edhe më herët që kjo është politikë. Albin Kurti don që përmes formave që ai ka zgjedh të viktimizohet dhe të përdor pushtetin për arsyet që ai din më së miri".


Ai tha se nuk e di në çfarë cilësie është intervistuar dhe se pret, siç u shpreh, të “lirohen prej kësaj që ka shpif Hysni Mehani”.

Lushtaku po ashtu kritikoi angazhimin e Njësisë Speciale në Skenderaj një ditë më parë, duke thënë se prania e tyre me armë të gjata e rëndon situatën dhe mund të shihet si provokim, ndonëse theksoi se policinë e Kosovës e respektojnë.