Luis Enrique befason me deklaratën për dëmtimin e Vitinhas

Shqetësimi po rritet te Paris Saint-Germain në lidhje me gjendjen e Vitinhan. Mesfushori portugez 26-vjeçar u detyrua të largohej i dëmtuar nga fusha para përfundimit të pjesës së parë, në humbjen 1-2 ndaj Olympique Lyon, pas një rrëzimi të keq gjatë një dueli në ajër me Endrick.
Sipas raportit mjekësor të PSG-së, “Vitinha vuan nga inflamacion në thembrën e djathtë pas një goditjeje të marrë gjatë ndeshjes kundër Olympique Lyon dhe do të mbetet nën kujdesin mjekësor për disa ditët e ardhshme. Ai do t’i nënshtrohet një vlerësimi të mëtejshëm në fund të javës”.
Si pasojë, pjesëmarrja e tij në ndeshjet e kësaj jave në Ligue 1 ndaj Nantes dhe Angers është përjashtuar. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich, e planifikuar më 28 prill.

Nga ana e tij, trajneri Luis Enrique nuk dha shumë detaje për situatën, duke shtuar se do pres dy ndeshjet e Ligue 1.
“Kanë mbetur dy ndeshje në ligë. Do ta shohim me qetësi se kur lojtarët e lënduar [përfshirë Nuno Mendes] mund të kthehen, por nuk di asgjë për Vitinhan”, deklaroi ai.
Trajneri i PSG-së nuk pranoi gjithashtu të konfirmonte nëse Fabián Ruiz, i cili u rikthye kundër Lyon, do ta zëvendësonte Vitinhan.

“Zakonisht nuk e ndryshojmë shumë mendjen kur një lojtar dëmtohet. Ka një kohë normale rikuperimi. Jemi të lumtur që ai luajti 20 minuta kundër Lyon, gjë që është pozitive për ekipin dhe për të”, nënvizoi ai. /Telegrafi/





















































