Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se me deklaratën e tij të fundit ka pranuar publikisht se uji në Gostivar nuk ka qenë bakteriologjikisht i sigurt për më shumë se dy vjet.

Në reagimin e saj, LSDM i referohet deklaratës së Mickoskit, i cili tha se “beson që për herë të parë pas shumë vitesh qytetarët do të përdorin ujë plotësisht bakteriologjikisht të rregullt”. Sipas partisë opozitare, kjo deklaratë është pranim se autoritetet kanë qenë në dijeni të problemit, ndërsa qytetarët kanë vazhduar të konsumojnë ujë të papërshtatshëm.


LSDM pretendon se pas hiperklorinimit është shfaqur një bakter i ri dhe se ende nuk ka konfirmim zyrtar se uji është plotësisht i sigurt për përdorim. Partia kërkon gjithashtu publikimin e dokumenteve që dëshmojnë se uji është teknikisht i rregullt.

Sipas LSDM-së, problemi me ujin e pijshëm nuk është i kufizuar vetëm në Gostivar, por është i pranishëm edhe në dhjetëra vendbanime të tjera në Maqedoninë e Veriut. Partia përmend edhe epideminë e hepatitit në Gostivar, si dhe ndotjen e lumenjve Lepenc dhe Vardar, duke theksuar se për këto raste ende nuk është përcaktuar përgjegjësia.

Në fund të reagimit, LSDM vlerëson se Mickoski, në vend që të paraqitet si zgjidhës i problemit, me deklaratën e tij ka pranuar publikisht përgjegjësi për gjendjen me ujin e pijshëm në Gostivar.