LAJMI I FUNDIT:

LR-PDSH reagon për incidentin në shkollën në Saraj, drejtori mohon (Video)

LR-PDSH reagon për incidentin në shkollën në Saraj, drejtori mohon (Video)

Lëvizja për Reforma në PDSH denoncoi sot një incident të ndodhur dje në shkollën fillore Dituria në Saraj, ku sipas tyre drejtori i kësaj shkolle, Rafiz Ahmeti ka ushtruar dhunë si dhe e e ka ofenduar rëndë pedagogen e kësaj shkolle, Mejreme Ejupi.

Sipas dokumenteve mjekësore të siguruara nga nënkryetarja e LR-PDSH-së Vlera Ejupi, pedagogia ka pësuar trauma të rënda për të cilat sipas saj, do të duhet më shumë 6 muaj për t’u shëruar. Ajo shtoi se LR-PDSH është kundër të gjitha maltretimeve nëpër vende të punës dhe kërkojnë që të ngrihet zëri ndaj këtyre hapave që e dërgojnë mbrapa shoqërinë tonë.


“Në një klasë në kuadër të zhvillimit të testimit ekstern pedagogia e shkollës e zgjedhur si testatore, në procesin e sistematizimit të kompjuterëve në klasë, në mënyrë të vrullshme dhe mjaft agresive, i hyn në klasë drejtori i Shkollës Rafiz Ahmeti, duke u ndjerë jo këndshëm që e sheh aty pedagogen e shkollës, ai e kap për dore vrullshëm pedagogen duke e ngrere jashtë dhe duke e urdhëruar në mënyrë agresive ta pret të fuqishmin në zyrën e tij. Pasi që ndodh kjo në zyrë, pedagogja është ngujuar nga zhargoni ofendues drejtuar saj, duke e quajtur tërë kohën e papërgjegjshme, e pa denjë dhe më tutje edhe sulme të lidhura me jetën e saj private.”, ka deklaruar Vlera Ejupi Nënkryetare e LR-PDSH-së.

Drejtori i shkollës Fillore ”Dituria” nga ana tjetër, mohon të gjitha zërat që qarkullojnë nëpër media. Ai tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe për ta dëshmuar këtë, ka dëshmitarë nxënësit, kolegët si dhe pamjet nga kamerat e sigurimit të shkollës, të cilat është i gatshëm t’i ofrojë, nëse i kërkohet nga organet kompetente.

“Domethënë katekorik, ju siguroj se nuk ka pas asnjëfar fërkimi nëmes drejtorit dhe pedagoges, kjo është shpifje dhe asgjë tjetër, edhe njëherë përsëritem nëse dikush don ta konfirmon këtë, se a ka pas diçka të tillë, janë nxënësit, janë arsimtarët, janë kamerat në shkollë dhe le të urdhërojnë le t’i hetojnë. Përndryshe ne si drejtori, do të ngremë edhe aktakuzë për shpifje. “, deklaroi për Tv Shenja, Rafiz Ahmeti, drejtor i Shkollës “Dituria”

Ndërkaq, televizioni Shenja nuk arriti të sigurojë prononcim nga pedagogia, e cila ishte e pakapshme në celular.