LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Në vitin 2018 bëhet tenderimi për “Kosovën e Re”

Lluka: Në vitin 2018 bëhet tenderimi për “Kosovën e Re”

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë, ku shpalosi prioritetet për vitin 2018.

Lluka ka prezantuar katër shtyllat kryesore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që janë energjia, minierat, teknologjia informative si dhe ndërmarrjet publike.

Ai theksoi se sektori i parë është energjia, ku tashmë është Strategjia dhjetëvjeçare e cila parasheh pesë objektivat kryesore, duke përfshirë edhe stabilitetin energjetik, eficiencën, energjinë e ripërtërishme lidhjen me gaz dhe çdo gjë që e përmirëson infrastrukturën e energjisë.

Lluka ka thënë se implementimi i projektit “Kosova e Re”, në vitin 2018 pritet të bëhet tenderimi si dhe normalisht pako financiare që duhet të kalojë në Parlamentin e Kosovës dhe viti 2018 do të jetë vit për gjetjen e kompanisë së preferuar për ndërtimin e Termocentralit të ri.

“Sa i përket projekteve, energjia ka qenë temë e vitit 2017, projekti kryesor që ka qenë dhe lajmi i fundit është ‘Kosova e re’ me nënshkrimin e kontratës komerciale me kompaninë ‘Contour Global’, një kontratë prej 1.3 miliardë euro investim, tërësisht privat, 30 për qind do të jetë pronë në formë të ekuitetit, pra direkt investim i kompanisë dhe 70 për qind në formë të kredisë. Kemi Kosovën B, rehabilitimin e tërësishëm, që është bërë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, ku kemi marrë një donacion rreth 35 milionë euro dhe faza  e parë parasheh rreth 35 milionë euro nga buxheti i Kosovës që përfshinë fazën e parë për ndryshimin, ndërrimin e filtrave të Kosovës B, që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka thënë se po ashtu ka thënë se do të vazhdojë dekomisonimi i  TC Kosova A, pra i aseteve dytësore që nuk ndikojnë në gjenerimin e energjisë dhe me fillimin e Kosovës së re, tërësisht të mbyllet Kosova A.

Ministri Lluka ka njoftuar se sot në orët e hershme ka nisë së gjeneruari edhe Blloku B2, që do të krijon mundësi për ndalimin e importit.

“Lajmi i fundit ka qenë shpronësimi në Shipitullë, zgjidhja e problemit, ngase Kosovën e ka mbajtur pengë qe dy vjet, ku ka shkaktuar shumë e shumë humbje, e miliona euro humbje për arsye të mos marrjes së vendimeve nga qeveria e kaluar për zgjidhjen e këtij problemi. Një problem shumë i madh, sepse këtu ka pasur mos insistim në zgjidhjen e problemit nga shumë instanca të ndryshme. Por fatmirësisht ky problem u zgjodh para dy ditësh, tash KEK-u ka filluar me ekskavatorët në përdorim dhe sa për informata sot në orën 3.00 të mëngjesit kemi marr lajmin nga drejtori i KEK, se ka filluar funksionimin edhe blloku B2, ku   tash për momentin prodhohen 700 deri 720 Megavat energji, pra kemi gjenerim të brendshëm, që do të thotë miliona euro çdo ditë kursime nga importet që i kemi pasur”, ka thënë Lluka.

Po ashtu ai ka thënë se deri në qershor, Trepça do të ketë bordin, statutin, regjistrimin e Trepçës si shoqëri aksionare, menaxhmentin si dhe vlerësimin e rezervave minerare. Gjithashtu, ai tha se kanë për synim edhe promovimin e këtij gjiganti metalurgjik për gjashtë muajt e parë, për investime.

Për sa i përket ndërmarrjeve publike, prej 16 sosh, 11 prej tyre kanë operuar me humbje, dhe sipas ministrit Lluka, nëse vazhdohet kështu do të jetë barrë e rëndë edhe për Qeverinë, sepse ajo është pronare dhe ka për obligim subvencionimin e tyre.

“Duhet të bëjmë çmos dhe është një ndër prioritetet e vitit 2018, që të bëhet ristrukturimi i ndërmarrjeve publike në mënyrë që të paktën t’i eliminojmë humbjet dhe nëse s’ka fitim, të paktën të mos jenë barrë e buxhetit të Kosovës.. Çka është me rëndësi, është se kemi marr vendim që t’i ndalojmë bonuset nga anëtarët e Ndërmarrjeve Publike. Bonuse që janë marr vazhdimisht, kemi raste kur janë marr bonuse edhe kur ndërmarrja ka pasur humbje. Kemi raste kur ndërmarrja ka pasur fitim vetëm 15 mijë euro vit dhe gjithë ajo është dashur të ndahet si bonus. Pra, për shkak të parregullsive tilla, ne kemi vendosur që të suspendohen apo të pezullohen të gjitha bonuset në ndërmarrjet publike”, tha Lluka.

Po ashtu, Lluka ka thënë se me anë të një vendimi është kërkuar të pezullohen edhe shpenzimet për dreka zyrtare, udhëtime të panevojshme zyrtare e gjëra të tilla nëpër ndërmarrje publike.