LAJMI I FUNDIT:

Lluka dhe Bahtiri takojnë minatorët e Trepçës, nuk arrijnë marrëveshje

Lluka dhe Bahtiri takojnë minatorët e Trepçës, nuk arrijnë marrëveshje

Një takim i zhvilluar në mes Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, Këshillit grevist të Minatorëve dhe kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, ka rezultuar pa marrëveshje.

Pas më shumë se dy orësh takim, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për minatorët grevistë, një gjë e tillë nuk është arritur.


Minatorët nga ana e tyre kanë reduktuar kërkesat në dy sosh: Rritjen e pagave për 20 për qind si dhe shkarkimin e Bordit dhe Menaxhmentit të Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, pas takimit tha se përmbushja e këtyre kërkesave në këtë fazë është pothuajse e pamundur. Sipas tij, gjendja financiare aktuale e Trepçës është e dobët dhe nuk mund të ketë kapacitet për rritje të pagave. Ndërsa shtoi se shkarkimi i Bordit është çështje e niveleve më të larta.

Megjithatë, Lluka i ka njoftuar minatorët se statuti për Trepçën tashmë është në Parlament dhe kjo çështje do të jetë prioritet në agjendën e punës së Kuvendit.

“Trepça është në vështirësi jashtëzakonisht të madhe dhe nuk ka ndonjë kapacitet financiar të ketë ndonjë rritje të rrogave aktualisht. Kurse sa i përket Bordit kjo është një çështje më madhore, Për këtë normalisht do të merremi edhe me Bordin do të shohim si qëndron puna edhe me menaxhmentin pastaj takohemi. Është me rëndësi që ne kemi dialog por janë rregullat të caktuara kur mund të shkarkohet Bordi”, tha ministri Lluka.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqri Sadiku, u shpreh i vendosur për vazhdimin e grevës deri në realizimin e kërkesave.

“Kërkesat janë shumë të qarta dhe sipas Këshillit grevist dhe Sindikatës greva duhet të vazhdojë deri në realizimin e këtyre dy kërkesave”, tha Sadiku.

Kujtojmë se Minatorët e Trepçës kanë hyrë në grevë që nga 3 janari i këtij viti. /Kp/Telegrafi/