Humbja nga Besa Famiglia në miqësoren e zhvilluar të martën mbrëma në Pejë, nuk e brengos fare përzgjedhësin e Kosovës, Alfred Llazari. Ai nuk ka dashur ta komentojë shumë këtë ndeshje, teksa ka theksuar se skuadra e tij është duke u përgatitur për sfidat që e presin në muajin tetor ndaj Rumanisë, në ndeshjet parakualifikuese për Kampionatin Evropian.

Janë në fazën e përgatitjes fizike


Llazari thotë se skuadra që ai drejton nuk ka qenë shumë e gatshme që të përballej me Besa Famiglian, pasi plani dhe programi i tyre nuk përkon me momentin që Përfaqësuesja e Kosovës të zhvillonte ndeshje miqësore. “Ne i kemi shërbyer skuadrës së Besa Famiglias, pasi ajo ka pasur nevojë për ndeshje të tilla. Kjo për faktin se pejanët do t’i zhvillojnë dy ndeshje në kuadër të Kupës EHF kundër skuadrës estoneze, Kehra”, ka thënë për ‘Sport Plus’ përzgjedhësi Llazari. Tutje numri një i Përfaqësueses së Kosovës tha se djemtë që ai udhëheq ka një kohë të gjatë që nuk kanë punuar me top. “Hendbollistët e mi ka një kohë të gjatë që nuk kanë punuar me top, pasi ne jemi vetëm në fazën e përgatitjes fizike dhe është shumë e natyrshme që ata për një kohë e kanë humbur ndjesinë e topit”, ka thënë Llazari.

‘Evropianët’ vijnë në tetor

Ndërkohë Llazari bëri të ditur se Përfaqësuesja e Kosovës ende nuk është e kompletuar, pasi asaj pritet që në mesin e muajit tetor t’i bashkëngjiten edhe hendbollistët kosovarë që luajnë në Evropë. “Ne nuk do të ngutemi me punë, ndërsa këtyre djemve më vonë do t’iu bashkohen edhe shokët e tyre që luajnë në për skuadrat evropiane”, ka theksuar Llazari. Ai ndërkohë bëri të ditur se disa prej hendbollistëve që janë në përgatitje në Banjën e Pejës nuk do të jenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në tubimin e tetorit, pasi konkurrenca për një vend në Përfaqësuese do të jetë shumë më e madhe, pasi ‘evropianët’ t’i bashkohen Përfaqësueses. /SportPlus/Telegrafi/ 

telegrafi sport app