Skuadrës së Llapit i është dashur të presë 11 vite për t’u stolisur me titullin e kampionit vjeshtor. Ekipi llapjan gjatë stinorit vjeshtor arriti dhjetë fitore, katër barazime dhe vetëm një humbje. Ky sukses i Llapit në stinorin vjeshtor për shumë dashamirë të futbollit është i pritur.

Revolucioni në klub, puna e palodhshme, mjetet financiare dhe fryma sportive kanë bërë që skuadra stinorin vjeshtor ta përmbyllë si më është më së miri, duke lënë pas veti 15 ekipe tjera në këtë rang garash.


Dikur me shumë vështirësi të shumta e sidomos organizativo-financiare, klubi ia arrinte të mbijetonte. Mirëpo, ndryshimet, më konkretisht ardhja në krye të klubit të dyshes, Tahir Batatina dhe Nexhat Dumnica, ka bërë që skuadrës t’i kthehet normalitetit dhe me plotë meritë llogaritet si favoriti kryesor për rikthim në elitë.

Në një prononcim të mëhershëm për gazetën SportPlus, ‘timonieri’ Tahir Batatina pati theksuar. “Nuk e kam marrë skuadrën e Llapit për të bërë shaka. Fare mirë e di se në çfarë gjendje ka qenë klubi, por nëse arrijmë që t’i marrim punët seriozisht mund të ecim përpara”, pati theksuar trajneri llapjan.

Deklarata e tij e dhënë një vit më parë për gazetën tashmë është realizuar plotësisht, pasi Llapi llogaritet si klubi më i organizuar në Ligën e Parë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app